Ekipi kombëtar i meshkujve të Iranit veshi shirita të zinj dhe mbajti çanta shkolle ndërsa himni i tyre luhej përpara një ndeshjeje që do zhvillohej në Turqi këtë të premte, në atë që një zyrtar i ekipit e quajti protestë ndaj vrasjes së nxënëseve në ditën e parë të luftës në Iran.
Irani po luante një miqësore kundër Nigerisë në qytetin turistik mesdhetar të Belekut, përpara Kupës së Botës që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, pjesëmarrja e të cilit është vënë në dyshim për shkak të konfliktit.
Djemtë e kombëtares iraniane u rreshtuan duke mbajtur çanta shkolle me flongo në ngjyrat rozë dhe vjollcë, një referencë ndaj sulmit në shkollën Shajareh Tayyebeh, që sipas Teheranit vrau më shumë se 175 persona, mes të cilëve fëmijë dhe mësues, në ditën e parë të sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj vendit.
Mehdi Mohammad Nabi, nënkryetar i federatës iraniane të futbollit, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se lojtarët kishin vendosur të bënin protestën si një gjest simbolik solidariteti me viktimat.
“Ata u prekën thellësisht nga bombardimi i shkollës së vajzave dhe donin të shprehnin ngushëllimin e tyre,” tha Nabi, duke folur në persisht. “Ky ishte një vendim kolektiv i ekipit. Ne jemi të bashkuar.”
Hetuesit ushtarakë amerikanë besojnë se ka gjasa që forcat amerikane të kenë qenë përgjegjëse, por ende nuk kanë arritur në një përfundim apo të kenë përfunduar hetimin.
Shefi i të drejtave të OKB-së i bëri thirrje Uashingtonit të premten që të përfundojë hetimin mbi sulmin, në një takim të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Duke folur përpara stadiumit, Nabi tha se ekipi ishte i vetëdijshëm për diskutimet që po zhvilloheshin në këshillin e të drejtave dhe shpresonte për një “vendim të qartë dhe të përshtatshëm”.
Më herët këtë muaj, disa lojtare të ekipit të femrave të Iranit qëndruan në heshtje gjatë himnit kombëtar në një ndeshje të Kupës së Azisë, gjë që bëri që televizioni shtetëror në Teheran t’i quante ato “tradhtare“.
Presidenti amerikan Donald Trump tha më herët këtë muaj se, ndonëse ekipi kombëtar i Iranit ishte i mirëpritur të luante në SHBA, mund të mos ishte e përshtatshme për “jetën dhe sigurinë” e tyre.
Federata iraniane e futbollit tha se ishte në diskutime me organin drejtues botëror të futbollit, FIFA, për zhvendosjen e ndeshjeve të Kupës së Botës nga SHBA-të në Meksikë.
Ekipi iranian humbi 2-1 ndaj Nigerisë të premten dhe do të luajë kundër Kosta Rikës të martën në një tjetër miqësore në Turqi.



Të tjera
Rama ia pezullon lejen ekspozitës “M@sakrat në Kosovë”
Për stresin dhe zemrën – shtatë ushqime ideale të pasura me magnez
Qeveria miraton disa projektligje