Hoti pretendon se 5 persona të zhdukur mund të gjenden nga gërmimet

Shpërthen Ministri Hoti: Ekspozita në Prishtinë shtrembëron krìmet e lu*ftës

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj ekspozimit të disa materialeve në sheshin e Prishtinës, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të dëmshme për të vërtetën historike, përcjell KosovaPost.

Sipas tij, në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar pasaktësi serioze dhe, në disa raste, shtrembërime të fakteve.

Ministri Hoti theksoi veçanërisht rastin e masakrës në Krushë të Madhe, ku përveç gabimeve në numrin e viktimave, paraqitet një narrativë e pavërtetë se gratë dhe fëmijët janë “lejuar” të largohen, ndërsa burrat janë vrarë.

“Kjo nuk qëndron. Në Krushë të Madhe janë vrarë pa përjashtim edhe gra shtatzëna. Ata nuk janë lejuar të largohen, por janë urdhëruar dhe deportuar drejt Shqipërisë”, ka theksuar ministri, duke shtuar se kjo rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur krimin si “selektiv”.

Ai përmendi edhe masakrën në Burgun e Dubravës, ku, sipas tij, numri i viktimave nuk përputhet me të dhënat e konfirmuara, ndërsa paraqitja e disa prej tyre si “persona të armatosur” është plotësisht e pavërtetë.

“Të burgosurit shqiptarë kanë qenë civilë, të pambrojtur dhe nën kontroll të plotë të forcave serbe”, u shpreh Hoti.

Ministri theksoi se këto nuk janë gabime teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme.

Ai bëri thirrje për:

▪Tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi;

▪Verifikim të plotë institucional të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës.

Njëkohësisht, Hoti u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që ta shqyrtojnë këtë çështje.

“E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet. Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, përfundoi ministri.

The post Shpërthen Ministri Hoti: Ekspozita në Prishtinë shtrembëron krìmet e lu*ftës appeared first on Kosovapost.net.