Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si “një thirrje e fortë ndërgjegjeje”, transmeton KosovaPost.
Haradinaj ka deklaruar se protesta e studentëve shqiptarë është një reagim ndaj ndërhyrjeve në politika që, sipas tij, synojnë përçarjen dhe dobësimin e faktorit shqiptar.
“Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një thirrje e fortë ndërgjegjeje për të gjithë ata që ndërhyjnë në politika që nuk u takojnë, duke përçarë dhe dobësuar faktorin shqiptar, aty dhe kudo”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se e drejta për gjuhën shqipe është e garantuar me kushtetutë dhe nuk duhet të cenohet nga askush.
“E drejta themelore për gjuhën shqipe, e garantuar me kushtetutë, nuk duhet të cenohet nga askush. Çdo përpjekje për ta prekur është shkelje flagrante e të drejtave”, ka thënë ai.
Haradinaj është shprehur në mbështetje të studentëve, duke theksuar se sot është një me ta në qëndresën dhe kërkesat e tyre.
“Sot jemi një me studentët, në qëndresën e tyre dhe në kërkesat e tyre legjitime. Një për gjuhën shqipe”, ka deklaruar ai.
Kreu i AAK-së ka theksuar se kushdo që ka penguar gjuhën shqipe, sipas tij, nuk do të falet nga historia. “Kujtdo që i ka penguar kjo gjuhë, historia nuk do t’ia falë. Me studentët!”, ka përfunduar Haradinaj.



Të tjera
Lulet toksike që nuk duhet t’i mbani në shtëpi
Gjykata vendos në favor të Telekomit në rastin ndaj Artmotion për FIFA 2026
SMS mashtruese në emër të Policisë së Kosovës, qytetarëve u kërkohet kujdes