Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 – Ekonomia Online

Komisioni miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport ka votuar në parim Projektligjin nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, me shtatë vota për dhe një abstenim, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë raportimit tha se Ministria, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji, duke theksuar rëndësinë historike të organizimit të kësaj ngjarjeje në Kosovë.

Gashi theksoi se qëllimi i ligjit është përcaktimi i rregullave dhe procedurave, si dhe i detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për organizimin e këtij eventi, ndërsa shtoi se qeveria do të ndajë fonde publike për këtë qëllim në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro.

“Ministria e Sportit dhe Rinisë, në kuadër të mandatit të saj, ka paraparë hartimin e këtij projektligji. Për herë të parë në historinë e saj, Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, ngjarja më e madhe sportive e organizuar deri më sot në vendin tonë. Ky projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar, i cili përveç fuqizimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit ekonomik, e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha, si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe fuqizimin e imazhit të shtetit”.

“Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave, si dhe të detyrave e përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera në lidhje me organizimin dhe funksionimin e edicionit 21 të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Përmes këtij ligji, qeveria e Republikës së Kosovës do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumë prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro”.

“Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të Komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera, të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Sportit dhe Rinisë, e ka sportin prioritet. Duke pasur parasysh se Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e këtyre lojërave që do të mbahen në vitin 2030, është e domosdoshme adresimi i një sërë kërkesash obligative, ndër të cilat është krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e ngjarjes sportive në vend. Gjithashtu, konsiderojmë se përmes këtij projektligji do të krijohen mekanizma adekuatë për organizimin e ngjarjes sportive, duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre”, tha ai.