Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar një automjet të dyshuar për transport të mallrave të kontrabanduara në zonën e Mitrovicës së Veriut.
“Me datën 06.04.2026 rreth orës 19:15 në zonën e fshatit Banjskë dhe Sharani-Kamen, në rrugë malore, njësitë policore dhe njësitë e Doganës së Kosovës, gjatë një aksioni të përbashkët për luftimin e kontrabandës, kanë vërejtur një automjet pa targa i cili lëvizte me shpejtësi të madhe”, thuhet në njoftim.
Sipas autoriteteve, njësitë policore kanë ndjekur automjetin e dyshimtë, por personat që ndodheshin në të e kanë braktisur atë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
“Gjatë kontrollit është vërtetuar se në veturë kishte mall të kontrabanduar: 32 thasë me pantallona (1217 palë xhinse) dhe një thes me rripa pantallonash (303 copë rripa)”, bëhet e ditur më tej.
Po ashtu, në automjet janë gjetur edhe targa të shtetit të Serbisë, një kanistër plastik me naftë dhe një radiolidhje.
“Nga njësitë e Doganës së Kosovës është bërë konfiskimi i mallit të kontrabanduar”, thuhet në njoftim, duke shtuar se me udhëzimet e Prokurorit të shtetit, rasti do të trajtohet nga Dogana e Kosovës.



Të tjera
Lulet toksike që nuk duhet t’i mbani në shtëpi
Gjykata vendos në favor të Telekomit në rastin ndaj Artmotion për FIFA 2026
SMS mashtruese në emër të Policisë së Kosovës, qytetarëve u kërkohet kujdes