Sot, bëhen 27 vjet nga beteja e Koshares që shënoi thyerjen e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Përballja me forcat serbe që nisi më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por i hapi rrugë edhe furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.
Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.



Të tjera
Haxhiu: Kosharja një ndër betejat më të lavdishme të historisë së Kosovës
Trajneri Flick me fjalë të mëdha për Yamalin
Julian Alvarez bëhet golashënuesi i pestë argjentinas më i mirë në historinë e Ligës së Kampionëve