Drejtori i Institutit Octapus, Arben Fetoshi, ka komentuar performancën e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sipas Fetoshit, seanca e sotme u shfrytëzua si një platformë për propagandë dhe një “recital i përsëritur i viktimizimit serb”.
“Këshilli i Sigurimit është kthyer në një ‘echo chamber’ të propagandës serbo-ruse për Kosovën. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq me reprizën e “viktimizimit”, duke dezinformuar për “diskriminim institucional, frikësim dhe presion sistematik” ndaj serbëve në Kosovë. Edhe performanca e sotme, një farsë që bazohej në efektet e përsëritjes dhe në shfrytëzimin e seancës si një platformë për ‘ndërkombëtarizimin’ e propagandës. Shifrat pa asnjë shpjegim mbi ‘incidentet etnike’, pretendimi për ‘respektimin e të drejtës ndërkombëtare’ dhe kornizimi i FSK-së si një ‘militarizim që minon stabilitetin rajonal’ u dekonstruktuan aty për aty, jo vetëm nga kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, por edhe nga shumica e vendeve anëtare”, ka shkruar Fetoshi.
Ai tha se po thuajse të gjithë në KS të OKB-së i kërkuan Serbisë përgjegjësi për Radoiçiqin, e disa ia kujtuan se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke kërkuar njohjen e saj si zgjidhja e normalizimit dhe si kusht për paqen e qëndrueshme.
Sipas Fetoshit,, Gjuriq nuk e ka problem demantimin, për shkak se ky forum nuk e ka një mekanizëm që sanksionon të vërtetën. “Ajo që ka rëndësi për Serbinë është UNMIK-u si mbetje e Rezolutës 1244, Këshilli i Sigurimit si platformë propagandistike dhe Rusia si aleate e saj në nivelin ndërkombëtar”, ka shtuar ai.
Ai thotë se pjesëmarrja e Gjuriqit në Nju Jork nuk ka për qëllim të ofrojë përgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës apo Kosovës, por të amplifikojë narrativën e viktimizimit. Raportet e UNMIK-ut, sipas Fetoshit, përdoren si “ftesë” për të ricikluar narrativat e gatshme në Beograd, prandaj thotë se Shtetet e Bashkuara refuzojnë këtë qasje, duke kërkuar mbylljen e UNMIK-ut.
“Jo sepse nuk duhet të flitet për Kosovën, por sepse mbyllja e UNMIK-ut do ta reflektonte të vërtetën e Kosovës së pavarur dhe do ta mbyllte një kanal për narrativat e rrejshme serbo-ruse. Forumi i mandatuar për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare nuk duhet të shërbejë më si hapësirë për narrativat manipuluese që kërcënojnë stabilitetin në Ballkan”, ka shkruar ndër të tjera Fetoshi.



Të tjera
Të heqësh njollat e bojës nga lëkura paska qenë kaq e thjeshtë
Si ta mjekoni pagjumësinë
A keni fjalëkalim të lehtë për t’u gjetur?