Një ditë pas shënimit të Ditës së Kushtetutës, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se detyrë e secilit deputet është të shtrijë respektimin dhe zbatimin e kushtetutshmërisë në çdo cep të Kosovës.
Ajo në foltore të Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së sotme tha se sovraniteti dhe funksionaliteti shtetëror i shkruar në Kushtetutë u testuan në veri, ku rendi kushtetues nuk ka qenë për një kohë i ushtruar plotësisht.
Megjithatë, ajo tha se sot situata ka ndryshuar pas një angazhimi të madh të qeverisë Kurti.
“Kushtetuta e Kosovës, kjo e Pavarësisë e vitit 2008, nuk është vija fundore e horizontit tonë shtetëror. Le të shohim atë si një nga pikënisjet. Ajo është hartuar në një kohë dhe kontekst të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, kur shtetësia jonë ka kaluar përmes balancave dhe kërkesave që nuk buronin vetëm nga qytetarët tanë… Këto kufizime i pamë përmes një praktike në ligje dhe reforma kushtetuese që nuk mund të miratohen përmes vetos së minoritetit serb dhe decentralizimit etnik. Po ashtu, sovraniteti dhe funksionaliteti shtetëror i shkruar në Kushtetutë u testuan në veri, kur rendi kushtetues nuk ka qenë për një kohë të gjatë i ushtruar plotësisht. Me punë dhe përkushtim kjo situatë ka ndryshuar. Sot Kushtetuta po zbatohet gjithnjë edhe më shumë. Institucionet janë prezente, ligji po vepron për të gjithë dhe sovraniteti nuk është vetëm deklarim, por realitet i përditshëm… Detyra jonë është e qartë: të shtrijmë respektimin dhe zbatimin e kushtetutshmërisë në çdo cep të Republikës. Të forcojmë funksionalitetin e institucioneve dhe të bëjmë sovranitetin e pakthyeshëm në praktikë”, tha ajo.



Të tjera
Zgjedhjet parlamentare në Hungari, çfarë thonë sondazhet?
Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, 10 pika diskutimi në rend dite
Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e Qendrës Emergjente në QKUK