Shahin Biba nga Prizreni zgjidhet nënkryetar i Bashkisë Metropolitane të Bursës

Shahin Biba nga Prizreni zgjidhet nënkryetar i Bashkisë Metropolitane të Bursës

Bursa – Shahin Biba, i lindur dhe i rrutur në Prizren, është zgjedhur nënkryetar i Bashkisë Metropolitane të Bursës në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal, përcjell Kosova Post.

Mbledhja u thirr nga Guvernatori Erol Ayyıldız pas shkarkimit nga detyra të kryetarit Mustafa Bozbey nga Ministria e Brendshme. Seanca u drejtua nga nënkryetari i Asamblesë dhe kryetari i Bashkisë Yıldırım, Oktay Yılmaz.

Shahin Biba, anëtar i Këshillit të Bashkisë Nilüfer nga radhët e AK Partisë, u zgjodh në këtë post pas raundit të tretë të votimit, ku siguroi 61 vota.
Në fjalimin e tij pas zgjedhjes, Biba falënderoi anëtarët e këshillit për besimin e dhënë, duke theksuar se vendimi për zgjedhjen e tij është “një manifestim i vullnetit të kombit”.

“Pa u fshehur pas asnjë justifikimi, ne do t’i përkushtojmë të gjitha energjitë dhe përpjekjet tona në shërbim të Bursa-s. Do të punojmë që shërbimet të vazhdojnë pa ndërprerje në të 17 distriktet, pa diskriminim dhe pa përjashtuar asnjë segment të shoqërisë,” deklaroi ai.

Ai shtoi se përbërja e këshillit reflekton qartë vullnetin e qytetarëve dhe se shumica i takon Aleancës Cumhur, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të këtij vullneti në vendimmarrje.

Zgjedhja e Bibës konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm, sidomos për komunitetin shqiptar në Turqi, duke qenë se ai vjen nga një familje me rrënjë në Prizren.