Klubi i Volejbollit Ulpiana ka kompletuar rikthimin e madh në Superligën A, pas një stinori të jashtëzakonshëm dhe pothuajse perfekt.
Ekipi nga Lipjani siguroi promovimin në elitë duke triumfuar në ndeshjen e barazhit ndaj KV Prishtina me rezultat 3:2, në një duel dramatik që zgjati deri në setin vendimtar. Me këtë fitore, Ulpiana rikthen vendin e saj në mesin e më të mirëve, ndërsa kryeqytetasit humbin statusin e ekipit elitar.
Pas një kampionati të rregullt mbresëlënës, ku regjistroi 10 fitore në 10 ndeshje, Ulpiana kishte vetëm edhe një pengesë përpara, duke e kaluar atë me karakter.
Ndeshja nisi më mirë për vendasit e KV Prishtina, të cilët fituan setin e parë 25:20. Por reagimi i Ulpianës ishte i menjëhershëm, duke barazuar shifrat me fitoren 22:25 në setin e dytë.
Në setin e tretë, Prishtina riktheu epërsinë me një paraqitje të sigurt (25:16), duke u afruar drejt fitores. Megjithatë, gjithçka ndryshoi në setin e katërt, ku Ulpiana tregoi shpirt të jashtëzakonshëm gare, duke përmbysur rezultatin nga 23:19 në 27:29 dhe duke e çuar ndeshjen në setin vendimtar.
Në setin e pestë, përparësia psikologjike ishte qartë në anën e lipjanasve, të cilët e menaxhuan më mirë presionin dhe triumfuan me rezultat 12:15 për të vulosur rikthimin në Superligën A.
Pas vetëm një sezoni në Superligën B, Ulpiana rikthehet fuqishëm në elitë, duke dëshmuar se vendi i saj është mes më të mirëve. Në anën tjetër, KV Prishtina nuk arriti të ruajë statusin dhe sezonin e ardhshëm do të garojë në Superligën B.



Të tjera
Kurti: Jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë në themelet e lirisë
Dështon armëpushimi për Pashkë, Ukraina e Rusia akuzojnë njëra tjetrën
Kaq para i fituan mbrëmë Fury dhe Makhmudov