Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet për presidentin, besoj se do të kemi marrëveshje

Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet për presidentin, besoj se do të kemi marrëveshje

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se kryeministri Albin Kurti, njëherit kryetar i LVV-së është duke vazhduar angazhimet për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Ajo ka shprehur besimin që në ditët e ardhshme do të arrihet një marrëveshje.

Nagavci të martën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se zgjedhjet e reja janë të panevojshme.

“Kurti është duke vazhduar me angazhimet e tij dhe unë besoj që në ditët e mbetura të arrijmë një pajtueshmëri dhe ta gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Pres dhe besoj që të gjejmë një zgjidhje të kemi propozime konkrete dhe të gjendet jë zgjidhje dhe të votohet presidenti në Kuvend. Një palë zgjedhje jo që janë të panevojshme, por edhe të padrejta”, tha ajo, raporton teve1.info

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se në ciklin e dytë të takimeve mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit është diskutuar për marrëveshje mes këtyre dy partive.

Ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, u shpreh se  takimi i parë ka qenë konstruktiv dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

“z.Abdixhiku ka pas takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, në rastin e parë është biseduar për një proces konsensual e në rastin  dytë po flitet për një marrëveshje  LDK-LVV. Takimi i parë ka qenë në frymë konstruktive edhe në mundësi që roli jonë si LDK, si grup parlamentar me u afrua, konfirmon ftesës që Kurti e ka bë. Ftesa e njëjtë është thënë se do t’i përcillet edhe PDK-së dhe cikli i ri i takimeve do të vazhdojnë”, ka thënë Haziri.

Kurti dhe Abdixhiku u takuan një javë më parë, por që takimi pavarësisht se u tha se ishte konstruktiv nuk rezultoi me ndonjë marrëveshje.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.