Anëtarët e Parlamentit Evropian i kanë bërë thirrje BE-së të veprojë pasi një Nismë Qytetare Evropiane që kërkon pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael ka kaluar mbi 1 milion nënshkrime, duke e përshkruar fushatën si një “lëvizje masive” që pasqyron kërkesën e gjerë publike për t’i dhënë fund luftës, transmeton Anadolu.
“Njerëzit evropianë duan të ndalet lufta dhe të ndalet qeveria izraelite, sepse 1 milion nënshkrime në tre muaj është një arritje monumentale. Kjo nuk vjen nga disa aktivistë. Kjo është një lëvizje masive”, tha eurodeputetja për gazetarët në Bruksel bashkëkryetarja e Aleancës së Majtë Evropiane, Catarina Martins.
E nisur në janar të vitit 2026 me titullin “Drejtësi për Palestinën”, nisma arriti pragun prej 1 milion nënshkrimesh në vetëm tre muaj, duke u bërë një nga fushatat më të shpejta që nga krijimi i këtij mekanizmi. Organizatorët thanë se ajo ka tejkaluar gjithashtu pragjet kombëtare në të paktën 10 vende anëtare të BE-së.
E mbështetur nga Aleanca e Majtë Evropiane dhe grupe të shoqërisë civile si dhe nga lëvizje të udhëhequra nga palestinezët në të gjithë bllokun evropian, nisma i bën thirrje BE-së të pezullojë marrëveshjen e saj të asociimit me Izraelin, duke përmendur shkelje të pretenduara të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Organizatorët thanë se do të vazhdojnë mbledhjen e nënshkrimeve drejt një objektivi të ri prej 1.5 milionësh.
“Ne jemi partnerët kryesorë tregtarë të Izraelit. Pra, duhet të kuptojmë se po financojmë gjenocidin dhe po financojmë luftën. Dhe ajo që qytetarët në të gjithë Evropën po thonë është se kjo duhet të ndalet dhe BE-ja duhet të përdorë ndikimin e tij për të ndalur qeverinë izraelite”, tha Martins.
Bashkëkryetarja e Grupit të Majtë në Parlamentin Evropian, Manon Aubry tha se ritmi i mbledhjes së nënshkrimeve tregon zemërimin në rritje të publikut dhe vendos përgjegjësi mbi institucionet e BE-së.
“Ajo tregon se qytetarët evropianë nuk mund të pranojnë më bashkëfajësinë e vendeve dhe shteteve evropiane në gjenocidin në Palestinë”, tha Aubry duke bërë thirrje për veprim urgjent për pezullimin e marrëveshjes teksa sulmet vazhdojnë.
Një tjetër ligjvënëse e Grupit të Majtë, Rima Hassan tha se kjo nismë shënon një pikë kthese në mbajtjen e liderëve të BE-së përgjegjës. “Komisioni Evropian nuk mund t’i mbyllë më sytë ndaj krimeve të kryera nga Izraeli”, tha Hassan duke shtuar se shkalla e mbështetjes pasqyron vite mobilizimi nga shoqëria civile dhe sinjalizon një kërkesë të qartë për veprim.
“Kjo nismë është një fitore evropiane, një hap i parë në rrugë dhe liderët evropianë duhet të përballen me përgjegjësinë historike”, shtoi ajo.
Sipas rregullave, një Nismë Qytetare Evropiane duhet të mbledhë të paktën 1 milion nënshkrime të vlefshme dhe të përmbushë pragjet minimale në të paktën shtatë shtete anëtare të BE-së për t’u shqyrtuar nga Komisioni Evropian.
Pasi këto kushte plotësohen, KE-ja është e detyruar të shqyrtojë propozimin dhe të vendosë nëse do të ndërmarrë veprime, megjithëse nuk ka detyrim ligjor për të propozuar legjislacion. Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael, e cila hyri në fuqi në vitin 2000, përfshin klauzolë për të drejtat e njeriut që përcakton se marrëdhëniet midis palëve bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.



Të tjera
Kosi lufton toksinat dhe ju dobëson
Skenar i ri i FIFA-s mund t’i hapë derën Kosovës në Botëror
ShBA: Asnjë anije nuk ka kaluar bllokadën në 48 orët e para