Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, tha se anulimi i një termocentralit të ri “Kosova e Re” është dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës paslufte.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti ia ka dorëzuar Serbisë pavarësinë e saj energjetike.
“S’ka goditje më të madhe. Anulimi i një termocentrali prej 500 megavatëve është jo vetëm dëm energjetik, por është dëm në siguri, në pavarësinë tonë politike, por edhe në çdo sferë. Shkaktari ose arkitekti kryesor i anulimit të këtij projekti 500 megavat me qymyr të Kosovës e me çmim 80 euro të megavatit është Albin Kurti dhe grupi rreth tij. Kosovën, Albin Kurti dhe grupi rreth tij, e ka lënë pa një termocentral të ri, e ka dorëzue pavarësinë energjetike të Kosovës, dihet mirëfilli ku. Ky është një fakt që askush në këtë sallë nuk mund t’i ikë dhe t’i bëjë bisht. Kjo është një e vërtetë që kurrë s’do të ndryshojë, dikush është kujdesur me vite të tëra mos me lënë Kosovën të prodhojë 500 megavat energji me qymyr të vetin”, tha Haradinaj në foltoren e Kuvendit ku po diskutohet për rrymë dhe faturimin e saj.
“Serbia s’ka krijuar fitore më të madhe ndaj Kosovës pas 99-ës sesa këtë dështim të termocentralit të ri dhe pastaj dorëzimit të Kosovës te Serbia. Kjo është e vërtetë. Çdo anëtar të VV-së e lus, interesohuni për këtë a e kam për inati a e kam se duhet me thënë”, shtoi Haradinaj.
“A e dini pse? Se rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike e Ballkanit, të cilën e dominojnë serbët. Këtë e dinë mirë të gjithë në këtë sallë. Dhe ata, bashkë me njerëz të afërm të Kurtit, lidhja e shkurtë e Kurtit, Dejona Mihali, krijojnë kompani çdo dy javë. I regjistrojnë në Shqipëri i bien në Kosovë, kompani fantazmë. Gjithë në këto kompani është një i afërt i Kurtit”.
Ai tha se “mafia energjetike është kujdesur që të mbyllë qarkun e tregtisë me energji janë kujdesur t’i kontrollojnë të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me energji”.
“Askush prej juve këtu [deputetë të VV] s’mund të emëroni dikë në KEK as ministra të VV’së. Vetëm Albin Kurti e Dejona vendos. Në ZRRE vetëm Albin Kurti e Dejona vendos e tani edhe në KOSTT, një nip i ministrit është kryeshef. Dhe me ligjin e ri po i propozohet Kosovës mos me i raportu KOSTT’i Parlamentit, por me i raportu qeverisë sepse po duan ta mbyllin qarkun e tregtisë së energjisë dhe me ia lënë të lira duart mafisë së energjisë me bë edhe më keq Kosovën”.



Të tjera
Gjashtë sëmundjet që nuk ju lënë të dobësoheni
Ja si duhet ta largoni vetminë
Ja çfarë efekti ka përdorimi i telefonit gjatë ngrënies