Meta pas arrestimit: Krenar që u rrëmbeva nga antishqiptarët vetëm për patriotizmin tim

Gjykata e Lartë dërgon për rishqyrtim në apel çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vendosur dërgimin për rishqyrtim të çështjes ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO), transmeton Anadolu.

Ish-presidenti Meta, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, kishte kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Në një njoftim të publikuar në uebfaqen e Gjykatës së Lartë thuhet se sot gjykata vendosi dërgimin e çështjes për rishqyrtim në GJPAKKO.

Gjykata e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj ish-presidentit Meta më 30 janar të këtij viti, masë e cila kundërshtohet nga Meta.

Kujtojmë se çështja ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Meta, ka kaluar në gjykim, ndërkohë gjykatat në Shqipëri kanë refuzuar edhe kërkesat e tij për lirim nga paraburgimi.

– Çështja ndaj ish-presidentit Meta

Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si “Kontrata e shërbimit CEZ-DIA” dhe për “kontrata lobimi në SHBA”.

Aktualisht, Meta është në paraburgim. Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.