Me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Republikës votuan Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Derisa konstatoi votimin e këtij ligji, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se do të ishte mirë që me kaq vota të mund të zgjidhej edhe presidenti i shtetit.
“Me mujtë me zgjedhë edhe presidentin, pas këtij votimi me 103 vota, me shfrytëzuar rastin me këtë unitet të jashtëzakonshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Paraprakisht, deputetët si në pozitë ashtu edhe në opozitë vlerësuan se me anëtarësimin e saj në Bordin e Paqes, Kosova fuqizohet në arenën ndërkombëtare.
Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, që foli si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se objektivi kryesor i Bordit të Paqes si organizatë ndërkombëtare është promovimi i stabilitetit dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. “Komisioni vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do ta zgjeronte rrjetin e organizatave ndërkombëtare ku Kosova është anëtare”, tha ajo.
Elmi Reçica i PDK-së anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është interes i lartë shtetëror, forcon sigurinë kombëtare, orientimin euroatlantik e konsolidon aleancën me SHBA-në.
“Pozita e Kosovës fuqizohet, në këtë rast hyn si palë sovrane, palë e barabartë, ka votë të barabartë me të gjitha shtetet tjera, e rritë pozitën ndërkombëtare të Kosovës e kredibilitetin e shtetit, e fuqizon dhe mund të sigurojë njohje të reja”, tha ai.
Në emër të LDK-së foli, Anton Quni, që tha se Bordi i Paqes nuk është thjesht një tryezë diskutimesh, por, tha se është një mekanizëm global që mbikëqyrë stabilitetin, ndërmjetëson konfliktet dhe promovon bashkëjetesën.
“Duke u bërë pjesë e këtij organizmi, Kosova pushon të jetë vetëm një konsumatore e paqes të importuar nga jashtë. Ne po shndërrohemi në eksportues të stabilitetit, ne kemi çfarë t’i japim botës, përvojën tonë të shtetndërtimit, frymën tolerancës dhe vullnetin e palëkundur për dialog. Anëtarësimi në këtë bord i jep Kosovës një mundësi të artë për të rifromësuar imazhin e saj në sytë e botës”, tha Quni.
Time Kadrijaj tha se kjo është dëshmia më e mirë, sepse Kosova po garanton siguri, diplomaci, përkushtim.
“Vetë kjo ftesë, vetë ky anëtarësim është një garanci për Kosovën”, tha ajo.



Të tjera
Sveçla: Dënime maksimale për sulmin në Banjskë, drejtësia të shkojë deri te të gjithë përgjegjësit
Deputetët serbë lëshojnë sallën pas vendimit për sulmin terrorist në Banjskë (VIDEO)
7 ushqime të pasura me yndyrë që duhet konsumuar