Gjykata Themelore të Prishtinë sot shpalli aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Blagoje Spasojeviqit dhe Vladimir Toliqit, të cilët u shpallën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi më 24 shtator 2023. Ndërsa, me 30 vjet burgim u dënua Dushan Maksimoviq. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën tre të tjerë.
Ekipi i KosovaPressit ndoqi procesin e gjykimit të të akuzuarve për rastin e Banjskës së bashku me familjen e heroit Afrim Bunjaku në Samadregjë të Vushtrrisë.
Pas aktgjykimit prapa kamerave motra e heroit Bunjakut, Fegjrie Behrami u shpreh e pakënaqur me dënimin e tre të akuzuarve. Ajo thotë që duhet të sillet para drejtësisë edhe Milan Radoiçiq.
Ndërsa para se të fillojë procesi i aktgjykimit në Gjykatën Themelore për rastin e Banjskës, për KosovaPress foli edhe djali i xhaxhait, Arton Bunjaku.
Bunjaku: Si familjarë presim që të marrin dënimin maksimal të merituar, me burgim të përjetshëm
“Ne si familjarë presim që të marrin dënimin maksimal të merituar, me burgim të përjetshëm për këtë pjesë të të akuzuarve, por edhe që pjesa tjetër, që ishin pjesë e sulmit në Banjskë, të paraqiten para drejtësisë. Ne i lusim bashkësinë ndërkombëtare të marrë masa që sa më parë edhe pjesa tjetër e grupit të jetë para drejtësisë”, deklaroi ai.
Duke folur për të dyshuarit që ende nuk janë arrestuar për rastin e Banjskës, përfshirë Milan Radoiçiq, Bunjaku e cilësoi situatën si padrejtësi.
Ai rikujtoi edhe ditën e 24 shtatorit, duke e cilësuar si një nga momentet më të rënda për familjen dhe vendin.
Sipas tij, lajmin për vdekjen e Afrim Bunjakut e mori në orët e para të mëngjesit. Ai thotë se familja Bunjaku nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në procesin gjyqësor, duke theksuar se beson në institucionet e drejtësisë.
Bunjaku: Ishte një ditë e dhimbshme dhe nuk e kemi pritur që në liri të sulmohet një pjesë e Kosovës
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist
Nga ai sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator pati ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesorë është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.


Të tjera
Largojeni stresin e ditës me këto metoda të thjeshta
CNN: Trump dërgon negociatorët Witkoff dhe Kushner në Pakistan për bisedime me kryediplomatin iranian
Personat me sens të humorit janë më inteligjentë