Osmani vizitë te familja Bunjaku: Rasti i Afrim Bunjakut dëshmon se sakrifica për këtë vend nuk ka mbaruar ende

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi sot familjen e policit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, pas vendimit të gjykatës për dënimin e të akuzuarve në rastin e sulmit në Banjskë.
Gjatë vizitës, Osmani theksoi se sakrifica për shtetin e Kosovës mbetet e vazhdueshme dhe kërkon përkushtim të përditshëm nga të gjithë qytetarët.
Bunjaku: Lum Kosova që ka pasur djem si Afrim Bunjaku, që i kanë dalë zot vendit në çdo kohë
“Dëshmon se sakrifica për këtë vend nuk ka mbaruar ende. Edhe pse kemi kaluar shumë vite nga çlirimi dhe shpallja e pavarësisë, liria duhet të ruhet çdo ditë. Lum Kosova që ka pasur djem si Afrim Bunjaku, që i kanë dalë zot vendit në çdo kohë. Është gjaku i tij, sakrifica e tij dhe sakrifica e juaj si familje, dhe e shumë familjeve në Kosovë, që janë arsyeja pse Kosova sot është vend sovran në çdo centimetër të saj”, tha Osmani.
Osmani: Amaneti i Afrim Bunjakut dhe i shumë djemve e vajzave që kanë dhënë jetën për këtë vend do të jetojë përherë
“Mbi të gjitha, amaneti i tij dhe i shumë djemve e vajzave që kanë dhënë jetën për këtë vend do të jetojë përherë. Këtë ju siguroj: keni fëmijë të jashtëzakonshëm, me të cilët jemi takuar dhe i kemi pritur, edhe djem edhe vajza, që vazhdojnë me ju bërë krenarë duke vazhduar rrugën e babait të tyre. Jam e bindur se edhe nipat e mbesat do ta vazhdojnë këtë rrugë për ta bërë këtë vend krenar”, tha ajo.
Ish-presidentja shtoi se sakrifica e Bunjakut dhe e familjes së tij si dhe e shumë familjeve të tjera në Kosovë, është themeli i sovranitetit të vendit. Sipas saj, drejtësia për këtë rast ende nuk është e plotë.
Osmani: Duhet të dorëzohen Milan Radoiçiq dhe kriminelët e tjerë për të marrë dënimin e merituar
Bunjaku: Afrim Bunjaku thoshte “Kur s’e mbrojmë tokën tonë, s’ka kuptim të shkojmë ta mbrojmë diku tjetër”
“Kur s’e mbrojmë tokën tonë, s’ka kuptim të shkojmë ta mbrojmë diku tjetër. Tokën tonë duhet ta mbrojmë”.
Bunjaku: Mitrovica është shpirti ynë
“Boll kemi derdhur, por për ta mbrojtur, Mitrovica është shpirti ynë”, kishte thënë heroi Afrim Bunjaku, sipas familjarëve.
Bunjaku shprehu shqetësimin për deklaratat publike që janë bërë në Kuvendin e Kosovës si dhe tha për Vjosa Osmanin se Kosvës i duhen njerëz të tillë.
“Pas vetes na ke me shpirt, me zemër dhe me mendje. Na duhen njerëz të tillë. Për të ecur përpara duhet njerëz adekuatë në pozicionet e tyre, që të ecim mbarë e mirë”, tha ai.
Ekipi i KosovaPressit ka ndjekur procesin e gjykimit të të akuzuarve për rastin e Banjskës së bashku me familjen e heroit Afrim Bunjakut.
Gjykata Themelore të Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Blagoje Spasojeviqit dhe Vladimir Toliqit, të cilët u shpallën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi më 24 shtator 2023. Ndërsa me 30 vjet burgim u dënua Dushan Maksimoviq. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën tre të tjerë.



Të tjera
Yamal mposht Vedat Muriqin në garën për lojtarin e muajit në La Liga
Kuvendi zgjedh anëtarët e KPM-së
Fillon restaurimi i Xhamisë së vjetër të Orllanit e cila u shkatërrua gjatë viteve të ’90-ta