Kuvendi mbyll punimet, s’kalon shmangia procedurale për Byronë – Nagavci reagon ndaj PDK-së për presidentin

25.04.2026 – 13:46

S`kalon shmangia procedurale as për projektligjin e Byrosë Shtetërore

Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e seancës së jashtëzakonshme, duke mos miratuar shmangien e afateve e procedurale për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

62 vota ishin pro, 48 kundër dhe asnjë abstenim për mocionin e paraqitur nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, që njëherësh ishte edhe pika e fundit të rendit të ditës për seancën e jashtëzakonshme të së shtunës.

Deputetët vendosën për mos shmangie nga procedurat edhe për projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026; projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit dhe projektligjin për Energjinë Elektrike.

Ndërkaq ata nuk përkrahën as mocionin për shmangie të afateve procedurale për lexim të dytë të projektligjit për Energji, i cili në parim u miratua në lexim të parë.

Hoti kritikon procedurat për buxhetin 2026, i quan në kundërshtim me ligjin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e jashtëzakonshme ka folur për shmangien procedurale të procedurave për buxhetin e vitit 2026.

Ai për këtë pati kritika ndaj projektimit dhe, sipas tij, është në kundërshtim me ligjin.

Në kundërshtim të plotë me ligjin për menaxhimin e financave. Ashtu siç e thotë kjo, mungesa e kësaj forme është në kundërshtim me ligjin. Si mundet të jetë në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave publike, do të thotë çfarë? Sikur kur bëhet rishikimi, sikur kur bëhet buxheti.

Pra, në rastin konkret, ne kemi rishqyrtuar, kemi amendamentuar kornizën afatmesme 3-vjeçare, që është baza ligjore për buxhetin vjetor. Kemi përfillur ligjin, nenin 22 të ligjit për menaxhimin e financave publike, i cili thotë se, në rast të rishikimit, ministri duhet të tregojë rrethanat ekonomike mbi të cilat është përgatitur ky rishikim buxhetor. Për shkak të rritjes së të hyrave publike, i kemi rishikuar të hyrat dhe kemi rishikuar gjithashtu shpenzimet”, tha Hoti.

Nuk miratohet shmangia e afateve procedurale për buxhetin 2026

Nuk miratohet shmangia e afateve procedurale të buxhetit për vitin 2026.

58 deputetë votuan pro, 48 kundër dhe asnjë abstenim.

Për këtë, opozita pati kundërshtime.

Nagavci: Presim propozime nga PDK dhe LDK deri të dielën për presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, para mediave ka thënë se zgjedhjet duhet të shmangen.

Nagavci, para seancës së jashtëzakonshme në hollin e Kuvendit, u shpreh se LVV ka dalë me propozimet e sotme me qëllim që t’i shmangë zgjedhjet.

Meqenëse asnjëra nga dy partitë e tjera opozitare nuk ka qenë e gatshme që të ecim përpara me dy propozimet tona, ne sot kemi dalë edhe me një propozim të ri, ku jemi të gatshëm që të marrim dhe t’i shqyrtojmë seriozisht tri propozimet për kandidatët, të cilët janë kandidatë përbashkues, kandidat ose kandidate përbashkuese, që do të vijnë si propozim nga PDK dhe LDK. Dhe ne jemi të gatshëm që, në momentin që kemi tri propozime nga PDK dhe LDK për emrin e presidentit apo presidentes, pra persona të cilët janë përbashkues, persona të cilët kanë një reputacion të lartë dhe kontribut edhe kombëtar, edhe shtetëror, persona të cilët nuk janë aktualisht në skenën politike, ne jemi të gatshëm që të tërheqim dy nominimet tashmë të zotit Glauk Konjufca dhe zonjës Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, dhe të japim edhe nënshkrimet tona. Pra, të jenë 80 nënshkrime, sa janë të nevojshme për tre kandidatët, me të cilët do të merrnim pjesë pastaj në seancën për zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, u shpreh ajo.

Ajo tha se deri ditën e diel presin një përgjigje nga opozita.

Pavarësisht kohës në të cilën jemi dhe ku, sipas Gjykatës Kushtetuese, afati i fundit për të zgjedhur presidentin është data 27, ndërsa më 28 shpërndahet Kuvendi, në këtë linjë ne kemi përcaktuar që dita e diel, mbrëmja e ditës së diel, është koha kur ne presim përgjigje dhe, respektivisht, propozime nga këto dy parti.

Jemi të bindur që edhe një palë zgjedhje të reja, përveçse kanë një kosto të lartë — janë 10 milionë euro të cilat do të shpenzoheshin për zgjedhje — në anën tjetër janë dhjetëra miliona euro të tjera të cilat po presin të miratohen nga Kuvendi. Dhe përtej kësaj, përveç aspektit financiar, një palë zgjedhje të reja nuk do të sillnin asnjë ndryshim në raport me situatën që mund të vijë përsëri pas zgjedhjeve të reja”, tha Nagavci.

Gruda i reagon Muratit: Lëri politikat, leja Kryeministrit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit përmendi çështjen e presidentit.

Gruda përmendi edhe çështjen e shmangies së procedurave të buxhetit për vitin 2026, e që sipas tij është joserioze.

Dhe për mua është e pabesueshme, ministër, që ju e bëni me kaq joseriozitet çështjen e buxhetit. Dhe po e them prej disa aspekteve. Mua më kujtohet që në shkurt, ju keni ardhur këtu dhe keni thënë: ‘Votoni zgjatjet buxhetore, sepse kemi me pru buxhetin e plotë dhe kemi me e bë mirë këtë buxhet’. A kështu na keni thënë këtu së pari? Kur e keni pru buxhetin e plotë, e mbaj mend shumë mirë ty dhe Kryeministrin Kurti duke thënë: ‘Na besoni se nuk është shumë mirë, po e kemi bërë shpejt e shpejt, s’kemi pasur kohë, por kemi me pru një rishikim që do të jetë shumë i mirë dhe do të kemi kohë për debat’. U kalua ajo. Sot vjen pas dy muaj e gjysmë dhe po na thua: ‘as s’kemi shumë mundësi për debat, as s’kemi mundësi me i këqyr, rishikimi duhet vetëm nga aspekti që të intereson ty, po votoni se na duhet’. Më thoni, me këtë seriozitet, s’ma merr mendja që shqiptarët e kanë merituar që t’ua trajtoni ekonominë, 3 miliardë euro buxhet, kështu. Përveç nëse këto tri herë më thoni që sot po planifikoni me u kthyer muajin tjetër me na pru 5 miliardë. Jo kështu. Domethënë, e treta, edhe po doni me shpejtësi me i këqyr paratë e të gjithëve. Falni, po a dini, buxheti i Kosovës më duket sikur nuk është buxheti i partisë, a diçka… Jo, këto janë paratë e Kosovës. Janë afërsisht ato 3 miliardë euro që çdo njeri sakrifikon me shëndetin, me punën, me mundin e vet për të mbledhur taksa, e ia merr taksat privatit e publikut, të gjithëve. Edhe në fund ne, me kaq joseriozitet, tri herë me fol për buxhetin e Kosovës, më duket e pabesueshme. Vërtet unë kam pritur shumë më shumë profesionalizëm për këtë temë, me thënë të drejtën. Nuk kam pasur pritje të tjera për ty si ministër. Mos mendo që ky është niveli në të cilin mundesh me punu ti. Unë besoj që ti mundesh më mirë se këtë që po e bën.”

Gruda i bëri thirrje ministrit që të mos ndërhyjë në çështje politike, pasi është ministër i Financave.

“Kështu që kisha me thënë me u tërhequr prej kësaj, me bë rishikim siç duhet, me na lënë kohë me e këqyr. Unë e di që ti mundesh me e bë këtë punë. Hiqe prej agjendës politike, pasi je ministër i Financave. Hiqi politikat, lëja Kryeministrit. Ti je ministër i Financave dhe mundesh me e bë këtë më mirë. Bëre siç duhet dhe bëre si ministër i Financave i këtij vendi, mos u kthe këtu kështu politikisht, kaq politikisht, vetëm si ministër i Financave shprehu”, tha ai.

Murati: Opozita mund t’i parandalojë zgjedhjet për Presidentin

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në foltoren e Kuvendit ka përmendur çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Murati tha se opozita mund t’i parandalojë zgjedhjet.

Prandaj, edhe njëherë ju lus që ta mbështesni këtë pako, që ta mbyllim edhe çështjen e zgjedhjeve, gjë për të cilën qëndrimi ynë ishte që të shkojmë drejt zgjedhjeve. Në fakt, pikërisht sot, çdo zgjedhje mund të parandalohet nga të gjithë deputetët.

Pra, sot, më gjerësisht, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë një ofertë sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit, që ju si opozitë të jeni me tre emra në këto takime dhe kjo çështje të zgjidhet sot. Pra, nuk ka nevojë as të diskutohet çështja e zgjedhjeve”, tha ai.

Tahiri kërkon shtyrjen e seancës të së hënës për shkak të homazheve në Mejë

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, fillimisht paraqiti kërkesë që seanca e së hënës të shtyhet për pasditen e asaj dite për shkak të homazheve.

Ai tha se Kuvendi duhet të tregojë seriozitet.

Kërkoj nga kryetarja e Kuvendit, respektivisht ushtruesja e detyrës së Presidentes, që seancën e planifikuar me datën 27 ta shtyjë për pasdite, për shkak se mu atë ditë, mu në atë kohë, janë homazhet e masakrës më të madhe në Kosovë, në Mejë. Andaj nuk ka logjikë që dikush si ne, që shkojmë vit për vit atje, të kemi një seancë mu në atë kohë. Kërkesa ime e parë është që seanca e të hënës të shtyhet për pasdite, për shkak se, në mos asgjë tjetër, ne duhet të tregojmë pak seriozitet si parlament, si institucione, në respekt të viktimave, të familjeve dhe të një masakre që e lëndon secilin prej nesh”, tha Tahiri.

Tahiri, për shmangien e afateve të procedurave të buxhetit të Kosovës, tha se kjo është kërkesë absurde.

“Të nderuar deputetë, sot para nesh është paraqitur edhe një kërkesë bukur absurde, me improvizime serioze, të cilat, deshëm apo s’deshëm, ne duhet t’i pranojmë; është një eksperimentim serioz me shtetin. Është detyrë e jona, të nderuar deputetë, që ta ruajmë shtetin tonë, por në të njëjtën kohë ta ruajmë edhe rendin kushtetues. Republika jonë nuk është ndërtuar rastësisht. Është ndërtuar mbi sakrificë, mund, përkushtim, mirëpo edhe mbi procedura të dakorduara me Kushtetutë, me rend dhe me ligje. Sot nuk guxojmë ta rrezikojmë shtetin duke i fundosur e shkelur secilën rregull që institucioni më i lartë, institucioni ligjvënës, e ka.

Parlamenti nuk është vend për vendime të rastësishme. Nuk është vend për improvizime. Nuk është vend për iniciativa çdo ditë jashtë rendit të ditës. Ju lutem, ne jemi të zgjedhur. Ne trajtojmë tema; në këtë rast kjo është temë bukur serioze: rishikimi i buxhetit në mënyrë të rregullt dhe transparente.

Improvizimet nuk janë zgjidhje. Pse po e them këtë? Këtu ka pasur një komunikim nga Kryeministri Kurti dhe nga Ministri Murati, kur është folur për rishikim. Ju kujtohet, kemi folur për prezantim programi, kemi folur për rishikim substancial që prek zotimet e kësaj qeverie dhe kërkesat e këtyre deputetëve për ndërhyrje dhe rishikime në fusha të ndryshme që ndërlidhen me jetën, me mirëqenien, me infrastrukturën dhe me gjithçka tjetër”, tha Tahiri.

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë seancë do të shqyrtohen dhe miratohen pesë pika.

Rendi i ditës:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-032 për Energjinë Elektrike,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-031 për Energjinë,

Mocion për shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr. 10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës mban sot nga ora 12:00 seancë të jashtëzakonshme plenare.

Në rend dite janë pesë pika, përfshirë projektligje për buxhetin 2026, Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, etj.

5 pikat që janë në rend dite si në vijim:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,

Mocion për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet nga Rregullorja e Kuvendit.