Marrëveshja trepalëshe për bashkëpunim në fushën e sigurisë ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar vitin e kaluar, vazhdon të interpretohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si një zhvillim që paraqet shqetësim për sigurinë rajonale. Megjithatë, ekspertë të sigurisë në Serbi vlerësojnë se këto deklarata lidhen më shumë me politika të brendshme sesa me realitetin e sigurisë.
Marrëveshja është bërë temë e vazhdueshme e diskursit zyrtar në Serbi, ku autoritetet e paraqesin si një rrezik potencial, ndërkohë që paralelisht janë paralajmëruar investime të reja në armatim dhe rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pa prezantuar të dhëna konkrete për kërcënime të drejtpërdrejta.
Ndërkohë, opozita në Serbi i ka cilësuar këto mesazhe si kontradiktore, duke theksuar se nga njëra anë flitet për kërcënime, ndërsa nga ana tjetër për bashkëpunim me të njëjtët aktorë.
“Në një moment Vuçiq thotë se Shqipëria po planifikon luftë kundër nesh, e më pas së bashku me kryeministrin e saj propozon modele bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë flet për anëtarësimin e Serbisë në BE deri në vitin 2035, përmes skenarëve që nënkuptojnë konflikte me vende anëtare të BE-së dhe NATO-s. Kjo krijon konfuzion dhe i çorienton qytetarët”, thotë Pavle Grboviq nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.
“Në politikën aktuale të mbrojtjes së Serbisë ka më shumë elemente të politikës ditore sesa nevoja reale të sigurisë. Ky fakt përdoret për të thënë se Serbia po armatoset për këtë arsye, ‘shikoni si bashkëpunojnë Zagrebi, Prishtina dhe Tirana, ne duhet të mbrohemi’”, tha analisti ushtarak Aleksandar Radiq



Të tjera
Probleme me alergjinë ndaj polenit? Këto janë ushqimet që duhet t’i shmangni
Rrahmani rinovon me Napolin, rritje e ndjeshme page
Peticioni për Murat Jasharin për president mbledh mbi 1,200 nënshkrime