Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke theksuar se mbi një mijë raste mbeten ende të pazgjidhura.
Në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë, Kurti ka bërë homazhe së bashku me familjarë të të pagjeturve, duke përfshirë edhe nënën Ferdonije, ndërsa ka theksuar se aktualisht 1565 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.
“Sot në ditën e të zhdukurve me dhunë, bashkë me nënën Ferdonije dhe familjarë të të pagjeturve bëmë nderime për të gjithë të zhdukurit, me ç’rast edhe 1565 i kemi ende të pagjetur”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Policinë, janë duke bërë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e tyre.
Ai bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar që të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë, sepse ata e dinë të vërtetën”, tha Kurti.
Sipas tij, ende ekzistojnë disa varreza masive në Serbi për të cilat nuk ka informacione, ndërsa vetëm në Batajnicë janë gjetur qindra trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.



Të tjera
Joao Neves zbulon kujt ia dedikoi golin në Botërorin 2026
Rutte: Kosova është partner i rëndësishëm i NATO-s
Haxhiu: Dhuna seksuale gjatë luftës, krim i rëndë