Me 63 vota për, 45 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk miratoi shmangien e afatit procedural për projektligjin për Energjinë Elektrike.
Me këtë rast, deputetët e LDK-së duartrokitën mosmiratimin.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pati kritika rreth procedurave.
“Për shkak të shumë arsyeve që kemi përmendur në seancat e kaluara, por edhe për shkak se një pjesë e procedurave të këtyre ligjeve ka kaluar në dëgjime publike në legjislaturat e kaluara, gjë që bie ndesh edhe me parime të tjera. Pra, nuk kemi dëgjime publike në këtë legjislaturë. Po ashtu, kjo pjesë e ligjit për energjinë elektrike bie ndesh me disa nene të direktivave të Komunitetit të Energjisë, përkatësisht të Bashkimit Evropian. Për këto arsye, ne do të votojmë kundër”, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ishte kundër shmangies.
“Sa i përket shmangies, mendoj se si Kuvend, edhe si pozitë edhe si opozitë, treguam pjekuri për urgjencën e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke i hequr prapavijat politike, të cilat janë shumë evidente. Mendoj se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk duhet të na mësojë për shmangie, as për këtë ligj e as për ndonjë tjetër. Ne, si parti opozitare, do të detyrohemi të kemi një qëndrim politik për shkak të pakënaqësive në këtë proces, të cilat i elaboruan edhe Ferat Shala dhe Jeta Statovci. Qëndrimi ynë është i qartë: nuk do të mbështesim asnjë shmangie, duke qenë se afati kohor po përfundon dhe nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme. Vendosja në agjendë përmes shmangies nuk do të kalojë dhe do të jetë vetëm humbje kohe”, tha Tahiri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, iu përgjigj opozitës, duke thënë se opozita po pengon reformat që mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian.



Të tjera
Seanca për Presidentin, Nagavci i drejtohet opozitës: Po pres nënshkrimet tuaja
Miratohet Komisioni i ri për Provimin e Jurisprudencës
Antony Joshua rikthehet në ring, do të përballet me shqiptarin Kristian Prenga