Kryeministri Albin Kurti tha se i ka ofruar opozitën që ta ketë “Presidentin e vet”, ndërsa përmendi kërkesën për t’i ofruar tre emra për pozitën e shefit të shtetit. Kjo, tha ai, është oferta më gjeneroze në botë.
Në seancën e jashtëzakonshme që u thirr për “diskutim” për Presidentin, ai tha se do ta mbështesnin njërin prej tre kandidatëve të propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja. Këtë, LVV nuk e kishte përmendur në kërkesën e bërë në fundjavë për këtë.
“Sot opozita ka mundur ta ketë Presidentin e vet. Ata tre emra, ne garantojmë zgjedhjen e njërit prej tyre. Por, u refuzua. Opozita ka refuzuar të ketë kandidat konsensual, jashtë skenës politike të deritashme, që e propozon vetë ajo”, tha ai.
Kurti tha se ata “nuk kanë qenë të interesuar”.
Të shtunën në mëngjes, LVV-ja kërkoi nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, por pa përmendur aty mbështetjen e mundshme në Kuvend.
Në atë propozim, LVV përmendte vetëm nënshkrimet për t’i çuar kandidatët në Kuvend.
“Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhej në propozimin e LVV-së të shtunën.



Të tjera
10 karakteristikat e njerëzve vërtet të pjekur
Konjufca dhe Mulhaxha-Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për presiden
Qeveria miraton disa vendime në mbledhjen e 15-të elektronike