Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se nuk njeh bashkëpunim dhe kompromis, por kërkon, sipas saj, nënshtrim politik.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se Kurti nuk po e respekton frymën e rezultatit zgjedhor dhe se shumica e fituar nuk nënkupton pushtet absolut.
Sipas Çitakut, opozita ka treguar përgjegjësi institucionale duke mbështetur pa kushte zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe, siç tha, në procedura të përshpejtuara.
“Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet”, ka shkruar ajo.
Zyrtarja e PDK-së e akuzoi Kurtin edhe për shkelje të Kushtetutës, duke e quajtur “shkelës serik”, ndërsa tha se ai po rrezikon rendin kushtetues.
Sipas saj, PDK nuk do të lejojë, siç u shpreh, përmbysjen e rendit kushtetues dhe do të kundërshtojë çdo veprim që cenon themelet e shtetit.



Të tjera
Dështon zgjedhja e presidentit – Kosova në zgjedhje të parakohshme
Ku mund të lexoni libra shqip në Internet?
Akcizë për stabilizimin e tregut të qumështit dhe mbrojtjen e konsumatorit