Rushiti: Kërkesa më erdhi edhe nga partnerë ndërkombëtarë

Rushiti: Kërkesa më erdhi edhe nga partnerë ndërkombëtarë

Kandidatja për presidente të Kosovës, Feride Rushiti që nuk arriti të fitonte 80 vota deputetësh për tu ngjitur në krye të shtetit si e propozuar e Lëvizjes Vetëvendosje, në konferencë për media tha se kërkesa për presidente të vendit i ka shkuar nga shumë qytetarë, nga anëtarë të shoqërisë civile, nga të mbijetuarit e dhunës seksuale, nga partnerë ndërkombëtare e së fundmi nga Kurti.

 

“Duke menduar që dalja ime në skenë paraqet një figurë unifikuese, një figurë e cila në historinë e saj ka kontribuuar në kauza që i kanë kontribuuar vendit, pas diskutimit të gjatë me kryeministrin e kam marrë këtë përgjegjësi me bindje të plotë që do të jem një nga kandidatët që është kërkuar jo vetëm  nga qeverisja Kurti, por edhe nga partitë opozitare, të jem person tërësisht i pavarur, jo politik, jo partiak e nga shoqëria civile. Pranova me marrë këtë post, ta tejkaloj edhe vetveten për hir të një qëllimi të madh, stabilizimin e institucioneve dhe ecjen e Kosovës përpara. Dua të bëj të qartë se ky kandidim nuk ka qenë ambicie a aspiratë për pushtet, ka qenë një kërkesë e sinqertë, një kontribut për vendin tim  si person jo partiak që t’i japë mundësinë zgjidhjes së ngërçit politikë”, tha Rushiti.

Shtoi se bashkëpunimin me partitë politike e ka nisur që nga viti 1999. “Gjatë këtyre viteve kam bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, me të gjithë liderët politikë qoftë në pushtet qoftë në opozitë, gjithmonë e kam pasur një parim bazë, i kam mbrojtur interesat e qytetarëve”, tha ajo.

Ajo tha se në asnjë moment nuk e ka ndjerë të ketë qenë pjesë e kalkulimeve.

“Po ta kisha ndjerë, nuk do të isha sot para juve këtu, thjesht unë kam zgjedhë në momentin e fundit , pasi e kam parë që janë konsumuar të gjitha propozimet”, tha ajo.

E pyetur nëse do të  jetë në listën e LVV-së në zgjedhjet e parakohshme, tha se ajo do të vazhdojë të jetë në organizatën që drejton.

“Adresa ime do të vazhdojë atje, unë e bëra këtë lëvizje vetëm për t’i kontribuuar vendit për të dalë nga ky ngërç politik”, tha ajo.

Rushiti ka falënderuar deputetët që e kanë votuar. “Uroj që zgjedhjet të japin një zgjidhje të qëndrueshme”.