Kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler kanë prezantuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Në rezolutë thuhet se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë një “rast bindës” për anëtarësimin e saj në Aleancë.
Rezoluta vë në pah edhe faktin se katër shtete anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, duke e konsideruar këtë si një pengesë që e bllokon avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në aleancë.
Për këtë arsye, rezoluta u bën thirrje këtyre katër vendeve që t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke argumentuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt NATO-s dhe për të mbyllur një “boshllëk strategjik” në Evropën Juglindore, të cilin kundërshtarët mund të tentojnë ta shfrytëzojnë.
Ai ka shtuar se SHBA-ja duhet t’i inkurajojë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën që të ndryshojnë qasje dhe të sigurojnë për Kosovën “një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”.
Në rezolutë, po ashtu, thuhet se shtimi i Kosovës në NATO do të ishte i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.
NATO funksionon në bazë të Traktatit të Atlantikut Verior, i cili ka hyrë në fuqi më 1949, dhe që përcakton edhe procedurat për pranimin e anëtarëve të rinj.
Në parim, anëtarësimi është i hapur për shtetet evropiane që mund t’i avancojnë parimet e traktatit dhe të kontribuojnë në sigurinë e rajonit euro-atlantik. Një shtet mund të ftohet vetëm me marrëveshje unanime nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s.
Zakonisht, vendit aspirues i dorëzohet Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP), i cili shërben si dokument udhëzues për përgatitjen politike, ushtarake, ligjore e ekonomike. Megjithatë, Kosova ende nuk e ka marrë MAP-in, dhe edhe pranimi në këtë plan nuk garanton automatikisht anëtarësimin.
Megjithatë, Kosova ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me aleatët euro-atlantikë, veçanërisht me SHBA-në në fushën e sigurisë, ndërsa historia e NATO-s njeh edhe raste të anëtarësimeve të përshpejtuara në rrethana të jashtëzakonshme.
Pavarësisht se aktualisht nuk pritet një anëtarësim i shpejtë, mbetet të shihet nëse do të ketë vullnet ndërkombëtar që Kosova të marrë një rrugë më të qartë drejt NATO-s.



Të tjera
Konjufca përshëndet rezolutën amerikane për anëtarësim në NATO
KQZ cakton 10 ditë e 7 orë fushatë për zgjedhjet e 7 qershorit – fillon me 28 maj
Përse duhet ta refuzoni gjithmonë akullin në restorante