Kurti në Shkup: VLEN-i po dëshmon se bashkimi politik ia vlen

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë mbrëmë në Kongresin themelues të VLEN-it në Shkup, ku ka mbajtur një fjalë përshëndetëse para delegatëve dhe zyrtarëve të pranishëm, përcjell KosovaPost.

Sipas një postimi të Kurtit në Facebook, ai ka vlerësuar bashkimin e pesë subjekteve politike në një të vetëm si një zhvillim të rrallë dhe domethënës për rajonin.

“Jemi mësuar që në politikë më shpesh të shohim e të përjetojmë ndarje, përçarje e copëtim të subjekteve politike në formacione të reja. Prandaj, është shumë më e rrallë dhe më domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë të gjejnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se themelimi i VLEN-it përbën model bashkëpunimi politik në rajon dhe ka theksuar simbolikën e 9 Majit, Ditës së Evropës.

Kurti ka folur edhe për proceset integruese evropiane, duke theksuar se BE-ja është ndërtuar mbi antifashizëm, demokraci dhe paqe, ndërsa ka paralajmëruar kundër ideve që nxisin urrejtje etnike dhe nacionalizëm agresiv.

Në postimin e tij, ai ka përmendur edhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, përfshirë sistemin “One Stop Shop”, projektin e rrugës Bllacë–Shkup dhe rrugën Prizren–Tetovë.

Kurti ka vlerësuar gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendeve të origjinës, duke kërkuar përfshirje më të madhe të saj në proceset zgjedhore.

Në fund, ai ka theksuar se bashkimi i partive që formuan VLEN-in është arritja më e madhe e tyre politike.

“Me këtë bashkim këtu sot në Shkup, po e dëshmoni që VLEN-i vlenë dhe VLEN-i ia vlen”, ka shkruar Kurti.