Shpërthejnë pakënaqësitë brenda LDK-së

Shpërthejnë pakënaqësitë brenda LDK-së

Anëtari i LDK-së nga Prizreni, Xhavit Ukaj ka reaguar pasi u la jashtë listës për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit, përcjell KosovaPost.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ukaj ka shkruar se ai u la jashtë listës pasi siç thotë ai, me emrin e tij nuk u pajtuan ata që ‘erdhën sot në LDK.

“Me propozimin e Degës së LDK-së në Prizren dhe me unanimitet të plotë, u propozova që të jem pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, ata që erdhën sot në LDK nuk u pajtuan që unë të jem pjesë e asaj liste, përkundër faktit që gjithmonë, pa asnjë interes personal dhe pa asnjë çmim, jam angazhuar për LDK-në në kohët më të vështira të saj”, ka shkruar Ukaj.

Postimi i plotë:

Të dashur anëtarë, veprimtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, qytetarë të nderuar,

Me propozimin e Degës së LDK-së në Prizren dhe me unanimitet të plotë, u propozova që të jem pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, ata që erdhën sot në LDK nuk u pajtuan që unë të jem pjesë e asaj liste, përkundër faktit që gjithmonë, pa asnjë interes personal dhe pa asnjë çmim, jam angazhuar për LDK-në në kohët më të vështira të saj.

Pikërisht për këtë, e ndjej obligim moral dhe politik të flas hapur për një zhvillim me të cilin nuk pajtohem dhe që, sipas bindjes sime, nuk i shërben frymës së vërtetë të LDK-së.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm kam votuar kundër që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës. Jo nga inati personal dhe jo sepse kam qenë kundër bashkimit. Përkundrazi, gjithmonë kam qenë që LDK të bashkohet dhe të ecim të gjithë bashkë. Por kam besuar dhe vazhdoj të besoj se bashkimi duhet të jetë i vërtetë — një bashkim që respekton dhe vlerëson ata që kanë qëndruar pranë LDK-së në çdo kohë, sidomos në ditët më të vështira.