Në aksionin simbolik të sotëm të Partisë Socialdemokrate, cak ishte Partia Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj tha se PDK-ja po udhëhiqet nga një “klikë”. Sipas fotografive që u shpalosën, PSD pretendoi se “klikën” e udhëheq Uran Ismaili, ndërsa anëtarë të saj janë Vlora Çitaku, Abelard Tahiri dhe Memli Krasniqi.
Molliqaj: PDK-në e ka kapur një “klikë”, atë e udhëheq Uran Ismaili
“Qysh edhe e dini, partia më e madhe opozitare, asnjë kauzë, asnjë protestë, asnjë çështje të rëndësishme nuk e ka ndier. Shtrohet pyetja pse po i ndodh kjo Partisë Demokratike të Kosovës? Arsyeja më e thjeshtë dhe më e qëndrueshme është se këtë kryetar… është veç fytyra qysh keni me e parë sot, por realisht Partinë Demokratike të Kosovës e ka kapur një klikë, e cila e udhëheq…Udhëheqësi i klikës së PDK-së edhe i klanit brenda PDK-së është Uran Ismaili. Paramendojeni, nga katër anëtarët e kësaj klike, dy prej tyre as nuk garojnë: njëri ka qenë kryetar partie, tjetri ka qenë shef i grupit, ministra… as nuk hyjnë në garë fare, por janë vendimmarrësit në këtë parti”, tha Molliqaj.
Molliqaj: Ka pasur kushtëzime nga “klika” nëse Limaj bëhet pjesë e PDK-së
“Mbledhja e kryesisë ka qenë veç formalizim i vendimit të tij. Dhe a e dini po ashtu që në kryesinë e PDK-së nuk është votuar? Pra ka pasur një debat të shkurtër, kryetari u çua dhe e ka mbyllur çështjen pa debat për këtë, sepse klika ka kushtëzuar që nëse kthehet Fatmir Limaj këta nuk marrin pjesë – dikush nuk bëhet shef shtabi, dikush nuk hyn në listë e dikush nuk garon. A e dini që ky është i vetmi kandidat nga zgjedhjet e dhjetorit i cili ka dalë, nëse s’gaboj, i katërti i votuar në parti e është numër dy? Pra i vetmi kandidat që s’ju ka ndërruar numri prej këtyre të votuarve është ky. Ka dy kandidatë më poshtë qysh janë Gruda dhe Tahiri të cilët kanë marrë vota shumë më shumë se ky e ky është prapë numër dy. Ky e ka kushtëzuar Limën dhe ky e ka bërë edhe koalicionin në Prishtinë”, tha Molliqaj.
Molliqaj u shpreh se ky subjekt politik duhet të çlirohet dhe sipas tij, mënyra për të bërë këtë është të votohet një opozitë si Partia Socialdemokrate.
Ndërkohë, i pranishëm ishte edhe një qytetar rasti i cili ishte i interesuar të dijë nëse PSD kundërshton opozitën apo Qeverinë. Në këtë rast, Molliqaj u përgjigj duke potencuar se kundërshtojnë opozitën.
Qytetari: Kë po e kundërshton?
“Kë po e kundërshton ti, opozitën apo Qeverinë?”, pyeti qytetari.
Molliqaj: Unë e kam lënë Kurtin me 2%, opozita e tanishme e e ka sjell në 51%
“Jo, po të tregoj, nëse ke problem qeverisjen në vend, duhet me pas opozitë. Nëse s’ke problem, rrimë në rregull, ama këta e kanë rritë Kurtin. Se po më flet mua si qytetar, me të drejtë unë kam ndihmuar dhe kam kontribuar atje, ama unë e kam lënë Kurtin 26%, këta e kanë pru në 51%. Dyfishim!”, u përgjigj përfaqësuesi i PSD-së.
Partia Socialdemokrate edhe gjatë ditës së djeshme ka pasur një aksion simbolik ku rikthimin e Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës e paraqitën si “Kali i Trojës”.



Të tjera
Pse ushtrimet në mëngjes janë më efektive për shëndetin
TIKA mbështet fermerët në Kosovë
Gucati: Ballkani mund të destabilizohet nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së