Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të Kosovës është miratuar kërkesa e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë të datës 24 korrik 2024 për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky proces mbetet me rëndësi të veçantë për drejtësinë dhe mbështetjen institucionale ndaj të mbijetuarve.
“Njohja dhe verifikimi i statusit të këtyre personave mbetet një proces me rëndësi të veçantë institucionale-shoqërore, në funksion të drejtësisë, dinjitetit dhe mbështetjes për të mbijetuarit. Në këtë drejtim, është propozuar ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të qeverisë për përbërjen e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, përmes emërtimit të përfaqësuesve të rinj nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. E ftoj përsëri ministrin Andin Hoti që ta marrë fjalën”, u shpreh ai.
Ministri në detyrë i MPFVLÇ-së, Andin Hoti, tha se ndryshimet janë të nevojshme për funksionalizimin e plotë të komisionit dhe vazhdimësinë e trajtimit institucional të rasteve.
“Ky propozim-vendim parasheh ndryshimin e vendimit aktual për themelimin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare, bazuar në nenin 8, paragrafi 1, të ligjit numër 04/L-172 për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre. Statusi i personave të dhunuar gjatë luftës konstatohet nga komisioni qeveritar i përbërë nga përfaqësues të institucioneve relevante shtetërore, ku parashihet, ndër të tjera, edhe përfaqësues nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Ministria e Drejtësisë. Duke qenë se përfaqësuesit aktualë të deleguar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare nuk janë më pjesë e këtij komisioni, ka qenë e nevojshme dhe është e nevojshme zëvendësimi i tyre me anëtarë të rinj, me qëllim të funksionalizimit të plotë dhe vazhdimësisë në trajtimin institucional të kategorive të mbrojtura me ligj”, tha Hoti.



Të tjera
Projektligji për t’ia vënë emrin e Eliot Engel ndërtesës së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë merr aprovimin e parë
Konjufca priti ambasadorin australian në takim përshëndetës
Qeveria në prag të rënies: Edhe një tjetër ministër britanik jep dorëheqjen – akuzon rëndë Starmer