Presidenti Donald Trump tha të hënën se kishte një “shansë shumë të mirë” që Shtetet e Bashkuara të mund të arrinin një marrëveshje me Iranin për të parandaluar Teheranin të pajiset me armë bërthamore, disa orë pasi tha se po shtynte një sulm ushtarak të planifikuar për të lejuar vazhdimin e bisedimeve.
Donald Trump tha se udhëheqësit e aleatëve kryesorë të SHBA-së në Lindjen e Mesme i kishin kërkuar të shtynte një sulm ushtarak ndaj Iranit të planifikuar për të martën në mënyrë që bisedimet me Teheranin të mund të vazhdonin, ndërsa paralajmëroi se SHBA-të mbeten të përgatitura për të nisur një sulm në shkallë të gjerë nëse nuk arrihet një marrëveshje.
“Duket sikur ka një shans shumë të mirë që ata të gjejnë diçka. Nëse mund ta bëjmë pa i bombarduar, do të isha shumë i lumtur”, u tha Trump gazetarëve.
Ai specifikoi se kërkesa për të pezulluar operacionin ushtarak erdhi nga udhëheqësit e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Një ditë më parë, ai tha se Iranit po i mbaronte koha dhe se “më mirë të vepronin shpejt, përndryshe nuk do të mbetej asgjë prej tyre”.
Teherani tregoi të hënën se i ishte përgjigjur një propozimi të ri nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, e cila filloi më 28 shkurt me një sulm të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Armëpushimi i brishtë ka qenë në fuqi që nga 8 prilli.
Por sipas raporteve të fundit, qëndrimet e të dy palëve mbeten shumë larg njëra-tjetrës, thekson France Presse.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars të Iranit, Uashingtoni paraqiti një listë me pesë pika që, ndër të tjera, kërkojnë që Irani të mbajë vetëm një strukturë bërthamore aktive dhe të transferojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në Shtetet e Bashkuara.



Të tjera
Shtatë bimët më të mira kundër kolitit, këshillat që ju duhen
Pacolli ngre dyshime për keqpërdorime milionëshe të parasë publike për dy prona në Ferizaj, fton organet për hetim
Sylvinho me fjalë emocionuese largohet nga Kombëtarja e Shqipërisë: Një komb që më ka mirëpritur shumë mirë