Sylvinho me fjalë emocionuese largohet nga Kombëtarja e Shqipërisë: Një komb që më ka mirëpritur shumë mirë – Ekonomia Online

Sylvinho me fjalë emocionuese largohet nga Kombëtarja e Shqipërisë: Një komb që më ka mirëpritur shumë mirë

Trajneri brazilian Sylvinho nuk do të jetë më në krye të Kombëtares shqiptare pas 3-vjeçar e gjysmë me kuqezinjtë.

Në këtë konferencë, Sylvinho është përshëndetur për herë të fundit me familjen kuqezi, duke e mbyllur një periudhë që solli ndryshime të rëndësishme dhe rezultate historike për Kombëtaren shqiptare.

I emocionuar, ai ka falënderuar drejtuesit e Federatës, stafin teknik, futbollistët dhe tifozët për mbështetjen gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

“Faleminderit President. Edhe për mua janë dy minuta me emocione. Kemi vendosur që së bashku të mbyllet ky cikël, një cikël prej 3 vitesh e gjysmë në të cilin kemi punuar shumë mirë për të përfaqësuar këtë Kombëtare, një komb që më ka mirëpritur shumë mirë dhe e falënderoj shumë,” ka deklaruar Sylvinho.

Ai ka theksuar se lidhja e krijuar me Shqipërinë dhe ambientin e futbollit shqiptar ka qenë e veçantë, duke shtuar se e njeh tashmë mirë vendin dhe njerëzit.

Sylvinho ka kujtuar gjithashtu edhe fillimin e aventurës së tij me Kombëtaren shqiptare, më 9 janar 2023, duke rikujtuar mesazhin e tij të parë në atë ditë.

Në fund të fjalës së tij, Sylvinho i ka uruar suksese pasuesit të tij në stol, Rolando Maran, duke i dëshiruar fat në ciklin e ri me Kombëtaren shqiptare, si dhe ka falënderuar Federatën dhe presidentin Duka për bashkëpunimin e deritanishëm.