U.d. presidentja përuron strehimore në veri të vendit

U.d. presidentja përuron strehimore në veri të vendit

Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, ka përuruar strehimoren e parë institucionale në veri të vendit.

Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se kjo strehimore u renovua me investim prej 643 mijë eurosh.

Haxhiu, sipas komunikatës së Presidencës, ka thënë se vizitën në pjesën veriore të Mitrovicës e kanë filluar aty ku shihet dallimi mes shtetit që rikthen ligjin dhe krimit që ka dashur ta mbajë peng.

“Kjo është strehimorja e parë në rajon sipas standardeve të Konventës së Stambollit. Asokohe si ministre e Drejtësisë, bashkë me ish-kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe ministrin Xhelal Sveçla, e ridestinuam këtë objekt në strehimore për viktimat e dhunës në familje.”- citohet të ketë thënë Haxhiu.

E para vendit ka thënë se çelësat e strehimores iu dorëzuan ministrit të Ministrisë për Punë, Familjen dhe vlerat e Luftës Çlirimtare, që kjo hapësirë të vihet në shërbim të atyre që kanë nevojë për siguri, kujdes e dinjitet.