Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Dr. Frédérique Duversin.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti e falënderoi Dr. Duversin për përkushtimin e saj shumëvjeçar ndaj Kosovës dhe për kontributin në promovimin e kulturës kosovare në Francë.
“Ai vlerësoi angazhimin e saj të vazhdueshëm që nga vitet ’90, si dhe mbështetjen që ajo u ka dhënë artistëve, studentëve dhe studiuesve të rinj kosovarë përmes krijimit të mundësive për zhvillim akademik e kulturor në Francë. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, rezidencave artistike dhe promovimit të artistëve, regjisorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve kosovarë në Francë dhe në hapësirën frankofone”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me muze, biblioteka, universitete dhe shkolla arti franceze, si një bazë e mirë për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të bashkëpunimit përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris.
Në takim, sipas njoftimit, u ritheksua rëndësia e diplomacisë kulturore në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes ndaj promovimit të kulturës, artit dhe bashkëpunimit akademik të Kosovës në hapësirën frankofone.



Të tjera
Ushqimet që rregullojnë stresin dhe gjendjen shpirtërore
Hapet aplikimi për studentët për shtesën prej 100 eurove
SHKK gjen d*rogë gjatë të mbështjellur në pampers, u tentua të futej në burgun e Dubravës