PDK hap zyrtarisht fushatën në Ferizaj, Hamza: 6 vite stagnim, propagandë e viktimizim

Partia Demokratike e Kosovës e hapi fushatën në Ferizaj, në sheshin para komunës.

Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza në hapje të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit ka thënë se qytetarët duhet t’i thonë stop krizës në të cilën ka hyrë tash e gjashtë vite.

Sipas tij, vendi ka stagnuar në shumë drejtime, derisa jeta e qytetarëve është rënduar.

Ai ka thënë se tubimi i PDK-së në Ferizaj është hapje e një kapitulli të ri për Kosovën.

“Vendi ynë ka stagnuar, qytetarët janë lodhur, familjet janë lodhur, bizneset janë lodhur, rinia janë lodhur duke pritur. Kosova është në krizë. Krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike, krizë shprese dhe kjo krizë ka një shkaktar. Kjo krizë është rezultat i 6 viteve, i arrogancës, konfliktit dhe mungesës së rezultateve”, ka thënë Hamza.

Kreu i PDK-së ka thënë se për gjashtë vjet qytetarët kanë dëgjuar vetëm propagandë e viktimizim, duke vazhduar deklarimin e tij në formë të pyetjeve për qytetarët.

“A jetoni ju më mirë sot? A janë ulur çmimet? A janë rritur pagat ? A është arsimi më cilësor? A kanë të rinjtë shpresë? A ndihen familjet më të sigurta – Qytetarët e dinë përgjijgen: Jo”, ka thënë ndër të tjerash kandidati për kryeministër i PDK-së.Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka marrë pjesë në hapjen e fushatës zgjedhore nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kreu i Nismës, ditë më parë arriti pajtimin me Hamzën e PDK-së për ta mbështetur në zgjedhjet e parakohshme, megjithëse të dy partitë nuk kanë lidhur një koalicion parazgjedhor, por që e kanë lënë mundësinë e bashkimit në një fazë tjetër.