LVV hap fushatën zgjedhore në Ferizaj, Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë dhe dyfishim të shtesave për fëmijë

LVV hap fushatën zgjedhore në Ferizaj, Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë dhe dyfishim të shtesave për fëmijë

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershor.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti në një tubim në Ferizaj ka premtuar se në mandatin e ri qeverisës do të ndahen 1 miliard euro për ushtrinë e Kosovës dhe 1 miliard euro për prodhimtarinë.

“Në mandatin e ri kërkojmë votën tuaj për të nisur transformimin më të madh ekonomik e industrial që është bërë ndonjëherë në vendin tonë. Investime strategjike në Trepçë, katër hekurudha të reja, 20 stadiume që do të ndërtohen ose rinovohen, pesë diga të reja, çdo vit së paku një miliard euro shpenzime kapitale dhe në katërvjeçarin e ardhshëm do të kemi 1 miliard euro për ushtrinë dhe 1 miliard euro për prodhimtari”, deklaroi Kurti.

Ai paralajmëroi edhe themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik, si dhe integrimin e trafikut urban dhe ndërurban me një biletë mujore prej 10 eurosh.

“Do të nisim themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik në partneritet me akterë të industrisë së aviacionit brenda dhe jashtë vendit. Do ta integrojmë trafikun urban dhe ndërurban me një biletë mujore që do të kushtojë 10 euro”, tha ai.

Kurti prezantoi edhe masa sociale, duke përfshirë mbështetje financiare për gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat e moshës 13 deri në 33 muaj.

“Do të kemi një program të dedikuar për gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat. Nga 100 euro për gjyshin dhe gjyshen që kujdesen për ta. Në mandatin e ardhshëm do të dyfishohen shtesat për fëmijë – sa më shumë fëmijë, aq më shumë mbështetje nga shteti”, u shpreh Kurti.