Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi të enjten KRU “Mitrovica”, ku u diskutua për investimet dhe zhvillimet e fundit.
Dikur, për ujin e shpenzuar në komunat veriore, qytetarët nuk paguanin.
Kjo situatë, e cila ka zgjatur për vite me radhë, është vlerësuar si një nga sfidat më të mëdha financiare për ndërmarrjen, duke rezultuar në akumulimin e borxheve që sot arrijnë rreth 21 milionë euro.
Megjithatë, nga viti i kaluar KRU “Mitrovica” po inkason shpenzimet e ujit në veri.
Kjo, bashkë me investimet tjera të bëra, vlerësohet se kanë ndikuar që ndërmarrja të operojë në gjendje të qëndrueshme.
“Kemi sfida, kemi vështirësi, sidomos në veri, në rrjetin e stërvjetëruar i cili nuk është mirëmbajtur asnjëherë. Telashe të shumta, humbje të mëdha të ujit, po që ekipet tona janë duke punuar 24/7 në atë zonë. Edhe fatmirësisht, falë punës dhe angazhimit të ekipeve tona që nga maji i vitit të kaluar, sidomos në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan, shërbimi ndaj qytetarëve është rritur drastikisht”, ka thënë Bashkim Kurti – kryeshefi i KRU “Mitrovica”.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se kanë mbështetur ndërmarrjen me mbi 600 mijë euro.
“Deri tani ne kemi nënshkruar marrëveshje për financimin e 60, 671 mijë eurove investime, duke përfshirë këtu rreth 250 mijë euro për vendosjen e ujëmatësve në komunat veriore, që do të mundësojë këtë faturimin atje. Njëkohësisht ndërmarrja është e angazhuar që edhe rrjeti atje të sanohet dhe të bëhen investimet e duhura në mënyrë që të ofrohen shërbime cilësore, paralelisht me fillimin e faturimit atje, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.
Gjatë vizitës u theksua se kjo ndërmarrje është në proces të rekrutimit në veri dhe se prioritet mbetet ofrimi i ujit cilësor për të gjithë qytetarët pa dallim./RTK



Të tjera
Në suksesin e fëmijës më shumë ndikon edukimi
Policia e Kosovës hap konkurs për 157 pozita “Toger”
Për të humbur peshë, ndryshoni shprehitë