Irani rifillon prodhimin e gazit në 3 platforma detare të Parsit Jugor pas ndërprerjeve gjatë lúftës

Irani rifillon prodhimin e gazit në 3 platforma detare të Parsit Jugor pas ndërprerjeve gjatë lúftës

Irani ka rifilluar prodhimin e gazit në tre platforma në det në fushën e gazit të Parsit Jugor pas ndërprerjeve të shkaktuara nga dëmtimet në objektet e përpunimit në tokë gjatë sulmeve SHBA-Izrael, transmeton Anadolu.

Siç raportoi agjencia shtetërore IRNA, Touraj Dehqani, drejtor ekzekutiv i kompanisë ‘Pars Oil and Gas’, tha se rikthimi i kapacitetit të prodhimit në këtë fushë gjigante po ecën në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht ndërprerjeve të fundit.

“Rimëkëmbja e prodhimit dhe kapacitetit të përpunimit të gazit të pasur në këtë fushë të përbashkët po zhvillohet në mënyrë të favorshme”, tha Dehqani, duke ia atribuar progresin “aftësive teknike të specialistëve të industrisë së naftës, menaxhimit të integruar të prodhimit dhe përdorimit maksimal të kapaciteteve ekzistuese”.

Ai shtoi se “tre platforma detare të Parsit Jugor janë rikthyer deri tani në ciklin e prodhimit”.

Sipas tij, disa platforma në det të lidhura me rafineritë e dëmtuara ishin detyruar të ndalonin prodhimin gjatë luftës SHBA-Izrael, edhe pse vetë platformat nuk ishin dëmtuar fizikisht.

“Pavarësisht gatishmërisë së plotë operacionale dhe pa ndonjë dëmtim në objektet detare, prodhimi duhej të ndalohej sepse nuk kishte mundësi për të marrë dhe përpunuar gazin e prodhuar në tokë”, tha ai.

Parsi Jugor, që Irani e ndan me Katarin fqinj, është fusha më e madhe e gazit natyror në botë dhe përbën pjesën më të madhe të prodhimit të gazit natyror iranian. Operacionet në këtë fushë u ndërprenë pjesërisht pasi sulmet izraelite synuan infrastrukturën energjetike në rajonin Assaluyeh në mars.