Mesfushori i Real Madridit, Aurélien Tchouaméni, ka folur për herë të parë rreth përplasjes së tij me Fede Valverden në qendrën stërvitore të “Valdebebas”.
Mesfushori uruguaian përfundoi në spital për të marrë qepje në kokë pas një përleshjeje të supozuar me Tchouaménin, ndërsa të dy u gjobitën me nga 500 mijë euro nga klubi për disiplinën e tyre.
Valverde gjithashtu foli për incidentin këtë javë gjatë mbërritjes së tij në grumbullimin e Uruguait përpara Kupës së Botës.
27-vjeçari nuk hyri në detaje, pasi fillimisht kishte mohuar se ishte goditur nga Tchouaméni, por e përshkroi ngjarjen si një “përvojë mësimi” për të “u rritur dhe pjekur”.
Tchouaméni tani ka folur gjithashtu për herë të parë mbi incidentin, duke sqaruar se nuk e ka goditur Valverden.
“Është e qartë që gjërat ndodhën, mund t’i shihje dhe dëgjoje në media. U ekzagjerua sepse ishte në lajme dhe kur luan për Real Madridin, kjo krijon reagim të madh. U thanë shumë gjëra të pavërteta në shtyp. Lexova që kishte një përleshje dhe se e kisha goditur… gjë që nuk është e vërtetë. Nuk do të hyj në më shumë detaje”, citohet të ketë thënë ai për “Diario AS”.
“Gjëja më e rëndësishme është që klubi ishte në dijeni të asaj që ndodhi. Ka shumë gjëra që ndodhin në dhomat e zhveshjes dhe nuk dalin në media. Jeta vazhdon. Unë dhe Fede kemi një qëllim të përbashkët: të fitojmë trofe me Real Madridin. Nuk ka probleme. Dhe nëse përballemi në Kupën e Botës, do të jemi të gatshëm të fitojmë me kombëtaret tona. Në nivel personal, nuk ka asnjë problem mes meje dhe Valverdes tani”, shtoi ai.
Pavarësisht gjobave të mëdha, “Los Blancos” nuk u shqetësuan aq shumë nga vetë përplasja, por nga fakti që ngjarja u bë publike.
Ish-trajneri Álvaro Arbeloa deklaroi se ajo që “dhemb më shumë” është fakti që dikush e nxori historinë në media.
Ndërkohë, presidenti Florentino Pérezi mbajti një qëndrim të ngjashëm, duke theksuar se personi që e ka zbuluar incidentin do të humbasë punën e tij dhe se “lojtarët zihen çdo vit”, duke sugjeruar se rrjedhja e informacionit ishte më serioze sesa vetë përleshja.



Të tjera
Vendimi i Iranit për të ndërprerë negociatat me SHBA, tregjet evropiane të aksioneve në rënie
Haxhiu viziton Klinikën e Pediatrisë në Ditën e Fëmijëve: Fëmijët meritojnë më të mirën prej nesh
Saliba në rrezik për botëror, lëndimi i tij më serioz sesa pritej