Haxhiu viziton Klinikën e Pediatrisë në Ditën e Fëmijëve: Fëmijët meritojnë më të mirën prej nesh

Haxhiu viziton Klinikën e Pediatrisë në Ditën e Fëmijëve: Fëmijët meritojnë më të mirën prej nesh

U.d. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me rastin e Ditës së Fëmijëve, përcjell KosovaPost.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se vizita është realizuar për të qenë pranë fëmijëve që po trajtohen në këtë klinikë dhe familjeve të tyre. Ajo ka theksuar rëndësinë e kujdesit dhe ndjeshmërisë në procesin e trajtimit mjekësor.

“Kujdesi dhe ndjeshmëria nuk janë shtesë e trajtimit mjekësor ato janë pjesë e tij. Çdo fëmijë që kalon ditë të vështira larg shtëpisë ka nevojë jo vetëm për terapi, por edhe për ngrohtësi dhe praninë e njerëzve që u kushtojnë vëmendje”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo po ashtu ka shprehur mirënjohje për stafin e Klinikës së Pediatrisë, duke vlerësuar punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor për përkushtimin e tyre të përditshëm.

“Humanizmi dhe profesionalizmi që ata demonstrojnë janë shembull i vërtetë i shërbimit publik”, ka theksuar ajo.

Në fund, Haxhiu është shprehur se fëmijët meritojnë më të mirën nga institucionet dhe shoqëria, duke uruar shëndet dhe gëzim për secilin prej tyre.