Në Orllan të Podujevës është mbajtur ceremonia e përurimit të Nënstacionit Policor, një projekt që sipas Policisë së Kosovës ka rëndësi të veçantë për avancimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve policore në këtë zonë.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, si dhe eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës tha se po punon në implementimin e Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, ndërsa përurimi i këtij nënstacioni “përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe njëkohësisht thellon bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin lokal”.
Sipas Policisë, Nënstacioni Policor në Orllan dhe nënstacionet e tjera policore do të kontribuojnë drejtpërdrejt në “rritjen e sigurisë publike, forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe në ofrimin e shërbimeve policore më të shpejta, më efikase dhe më të afërta për qytetarët”.



Të tjera
Lëvizja Vetëvendosje mban tubim në Podujevë, Kurti premton investime miliardëshe
Manikyri pluhur, tendencë e thonjve të bukur por rrezikon infeksione
E trishtë: Këta janë dy të rinjtë nga Kosova që humbën jetën në Shëngjin