Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, duke thënë se Gjykata Speciale ka bojkotuar raportimin e Avokatit të Popullit të Kosovës dhe ekspertëve britanikë për të drejtat e njeriut.
Sipas tij, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, dhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, përmes rishikimit paraprak të garancive për një gjykim të drejtë në rastin Thaçi e të tjerë, po luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e garancive për të drejtat e njeriut.
Misetic thekson se e drejta për një gjykim publik është një parim themelor i të drejtave të njeriut, pasi mundëson mbikëqyrje publike dhe llogaridhënie institucionale, duke lejuar monitorimin e punës së prokurorisë dhe gjykatave për identifikimin dhe korrigjimin e shkeljeve të mundshme procedurale.
Ai ka kritikuar gjithashtu disa organizata të mëdha ndërkombëtare, duke thënë se, ndryshe nga mbrojtja që u bëjnë të akuzuarve në nivel kombëtar, në nivel ndërkombëtar shpesh kalojnë në mbrojtje të institucioneve, duke lënë të pandehurit pa mbikëqyrje objektive të jashtme.
“Fatkeqësisht, gjatë afro 30 viteve të praktikës sime para gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare, kam vërejtur se organizata të mëdha joqeveritare si Human Rights Watch dhe Amnesty International, të cilat mbrojnë fuqishëm të drejtat e të akuzuarve në nivel kombëtar, shpesh në nivel ndërkombëtar kalojnë në mbrojtje të vetë institucioneve. Ky ndryshim sistemik i lë të pandehurit në proceset ndërkombëtare të izoluar, pa monitorimin objektiv të jashtëm që është i nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, ka shtuar Misetic.
Në fund, Misetic ka vlerësuar Avokatin e Popullit të Kosovës dhe Komitetin për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve, duke thënë se ata po i japin kuptim real të drejtës për një gjykim publik në procesin Thaçi dhe të tjerët.



Të tjera
Gërvalla: Sundimi i ligjit matet edhe pas dyerve të mbyllura
Konsumimi i cigareve e mplakë lëkurën
Kurti: Zgjedhjet na u imponuan, po presim rezultatet përfundimtare