Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, bashkëluftëtarët e dëshmorit Hyzri Talla kanë vendosur sot një fotografi përkujtimore në vendin ku ai ra heroikisht, pranë Qendrës Tregtare në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Ky akt simbolik u realizua në shenjë nderimi dhe respekti për jetën, veprën dhe sakrificën e Hyzri Tallës në luftën për lirinë e Kosovës.
Hyzri Talla ra dëshmor më 1 dhjetor 1998, duke u bërë pjesë e historisë së rezistencës dhe sakrificës së popullit shqiptar për çlirimin e vendit. Ai ishte i përkushtuar me tërë qenien e tij ndaj idealit të lirisë, një vlerë të cilën sot e gëzojnë qytetarët e Kosovës dhe brezat që vijnë.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet theksuan se vendosja e fotografisë përkujtimore është një gjest simbolik për të ruajtur kujtimin e tij dhe për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm që dha për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në Ditën e Çlirimit, kujtimi për dëshmorët dhe sakrificën e tyre mbetet një ndër themelet më të rëndësishme të historisë së shtetit të Kosovës.
Hyzri Talla lindi në Letancë të Besianës dhe që në rini u dallua për guximin, vendosmërinë dhe aktivitetin e tij patriotik. Student i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës, ai u përfshi në lëvizjen kombëtare pas demonstratave të vitit 1981 dhe ishte pjesë e organizatave ilegale që vepronin për çështjen kombëtare.
Gjatë luftës u bë oficer i lartë i UÇK-së. Ai ra dëshmor në Prishtinë së bashku me Ilir Durmishin dhe Afrim Maliqin, në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë derisa ndodheshin në një mision ushtarak.
Në Zonën e Llapit u formua Brigada 153 e UÇK-së e udhëhequr nga komandanti Adem Shehu. Ajo mori emrin “Brigada 153 Hyzri Talla”, ndërsa nga ditët e para, brigada u përfshi në luftime të ashpra, duke shkruar faqe të rëndësishme të historisë së luftës për liri. Sot, emrin e Hyzri Tallës e mban edhe sheshi në Prishtinë, në vendin ku ai ra. 



Të tjera
Takimi Ulutas-QUINT’i, ambasada e Britanisë kujton ndërhyrjen e NATO’s: Ishte jetike për ta ndaluar katastrofën humanitare në Kosovë
Ronaldo iu përgjigjet gazetarëve pas dyshimeve për formën e tij
Numërohen rreth 70% të votave nga ambasadat dhe konsullatat, Vetëvendosje kalon në 50 mandate