Mediet iraniane kanë publikuar detajet e një draft-memorandumi mirëkuptimi me 14 pika mes Teheranit dhe Uashingtonit, duke zbuluar dallime të konsiderueshme me dispozitat e raportuara më herët nga Axios lidhur me lehtësimin e sanksioneve, asetet e ngrira iraniane, angazhimet për rindërtim dhe fushëveprimin e negociatave të ardhshme.
Sipas agjencisë Mehr, drafti përbëhet nga 14 pika dhe mbetet subjekt i shqyrtimit dhe miratimit përfundimtar nga autoritetet përkatëse iraniane. Dy versionet e raportuara ndajnë disa elemente kyç, por paraqesin dallime të rëndësishme në mënyrën se si do të zbatohen këto objektiva.
Axios raportoi për një “zgjatje” 60-ditore të armëpushimit ekzistues, përfshirë Libanin, teksa vazhdojnë negociatat bërthamore.
Ndërkaq, drafti i publikuar nga Mehr parashikon një ndërprerje “të menjëhershme dhe të përhershme” të armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, e cila do të pasohej nga 60 ditë negociata për një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor të Iranit.
Dy raportimet ndryshojnë sa i përket rihapjes së Ngushticës së Hormuzit. Axios raportoi për një rihapje “të menjëhershme” të kësaj rruge strategjike detare pa tarifa dhe rikthimin e vëllimit normal të transportit detar. Drafti i raportuar nga mediet iraniane parashikon rihapjen e ngushticës brenda 30 ditëve dhe në koordinim me Iranin.
Lehtësimi i sanksioneve përbën një tjetër pikë të rëndësishme mospërputhjeje.
Sipas Axios, lehtësimi i sanksioneve amerikane do të lidhej me respektimin e marrëveshjes nga ana e Iranit. Drafti i publikuar nga Mehr shkon më tej, duke kërkuar pezullimin e sanksioneve ndaj naftës iraniane, produkteve petrokimike dhe derivateve të tyre, qasje të plotë në burimet financiare të Iranit dhe heqjen përfundimtare të të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare amerikane si dhe të masave të lidhura të vendosura përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Edhe trajtimi i aseteve iraniane të ngrira ndryshon ndjeshëm.
Axios raportoi se Irani mund të fitonte qasje “në një pjesë” të fondeve të ngrira për blerje humanitare përmes një mekanizmi të diskutuar me Katarin. Në të kundërt, drafti i publikuar nga Mehr kërkon lirimin e 24 miliardë dollarëve nga asetet e ngrira iraniane gjatë periudhës 60-ditore të negociatave, me gjysmën e shumës që do të vihej në dispozicion para fillimit të negociatave përfundimtare.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rindërtimin dhe garancitë pas luftës. Derisa raporti i Axios nuk përmendte ndihmë për rindërtim, drafti i publikuar nga Mehr parashikon që ShBA-ja dhe aleatët e saj të paraqesin plane për rindërtimin e Iranit me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë.



Të tjera
Kanada – Bosnjë e Hercegovinë, publikohen formacionet zyrtare
Takimi Ulutas-QUINT’i, ambasada e Britanisë kujton ndërhyrjen e NATO’s: Ishte jetike për ta ndaluar katastrofën humanitare në Kosovë
Ronaldo iu përgjigjet gazetarëve pas dyshimeve për formën e tij