U.D.Presidentja Albulena Haxhiu dekoron komandantin Adem Shehi me “Urdhrin e Lirisë” në Ditën e Çlirimit

U.D.Presidentja Albulena Haxhiu dekoron komandantin Adem Shehi me “Urdhrin e Lirisë” në Ditën e Çlirimit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar komandantin Adem Shehi me dekoratën “Urdhri i Lirisë”, në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, përcjell KosovaPost.

Sipas Haxhiut, Adem Shehi, me origjinë nga Farka e Tiranës, iu bashkua Kosovës në një nga periudhat më të vështira të saj, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për kuadro të përgatitura ushtarake dhe organizative.

Ajo vlerësoi se Shehi solli në Kosovë përvojën e oficerit profesionist, njohuritë ushtarake dhe përkushtimin për të ndihmuar në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve dhe ushtarëve të UÇK-së. Më vonë, ai mori detyrën e komandantit të Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, duke kontribuar në forcimin e njësive që vepruan në rajonin e Llapit dhe Gollakut.

“Si shumë oficerë dhe vullnetarë nga Shqipëria, ai e dinte se kur Kosova ishte në rrezik, kufiri nuk mund të ishte arsyetim për të qëndruar larg”, ka theksuar Haxhiu.

Sipas saj, dekorata “Urdhri i Lirisë” është një vlerësim për shërbimin, profesionalizmin, sakrificën dhe kontributin e Adem Shehit në luftën për lirinë e Kosovës, si dhe për solidaritetin e treguar nga shqiptarët në momentet vendimtare të historisë së vendit.

Në fund, ushtruesja e detyrës së Presidentes shprehu mirënjohje për komandant Adem Shehin dhe për të gjithë ata që, sipas saj, i dhanë Kosovës dije, armë, besë dhe jetë në rrugën drejt lirisë.