Ibrahimovici: Ia vlen të paguhet biletë e shtrenjtë për Yamalin – Ekonomia Online

Ibrahimovici: Ia vlen të paguhet biletë e shtrenjtë për Yamalin

Ish-sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovići, ka veçuar Lamine Yamalin si lojtarin që mezi pret ta shohë në Kupën e Botës 2026.

Sipas legjendës suedeze, talenti i ri i “Blaugrana” ka një cilësi të rrallë që e bën të vlejë çdo çmim bilete, pavarësisht sa i lartë mund të jetë.

Ndërsa bota e futbollit po përqendrohet te Kupa e Botës 2026, një emër po dominon më shumë se të tjerët: Yamali, sensacioni adoleshent i Barcelonës, ka marrë vlerësimin maksimal nga një prej figurave më të mëdha të lojës, Ibrahimovići.

Lojtari i ri kishte qenë jashtë fushave që nga prilli i kaluar pas një dëmtimi ndaj Celta Vigos, duke ngritur dyshime për pjesëmarrjen e tij në ndeshjet e fazës së grupeve.

Megjithatë, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka konfirmuar së fundmi se Yamal është gati të marrë minuta kundër Kepit të Gjelbër në ndeshjen hapëse të “La Roja”.

Duke folur për ndikimin që 18-vjeçari ka në lojë, Ibrahimovići i tha “Fox Sports”:

“Lamine Yamal është një lojtar special. Është një lojtar për të cilin blen bileta shumë të shtrenjta, një lojtar për të cilin shkon në stadium dhe falë të cilit thjesht shijon përvojën”, tha ai.

Ndërsa miliona njerëz e kanë ndjekur ngritjen e tij përmes ekranit, Ibrahimović këmbëngul se ta shohësh nga afër është diçka krejt tjetër. Ish-sulmuesi i Milanit dhe PSG-së theksoi nuancat teknike që e veçojnë atë nga bashkëmoshatarët.

“Këto cilësi u panë qartë gjatë sezonit 2025-26 me Barcelonën, ku ai shënoi 24 gola dhe dha 18 asistime në 45 ndeshje, duke mbyllur sezonin me titullin e La Ligas”, shtoi ai.

“Kur e sheh në TV duket special dhe i mirë. Por nga afër është edhe më special,” shtoi Ibrahimovići.

“Në moshën 18-vjeçare është e pabesueshme. Çdo herë që prek topin, e sheh që është ndryshe. Kontrolli i topit, driblimi, aftësia për të shënuar… të gjitha shpresat e mia për një ndeshje të madhe janë te ai”, u shpreh suedezi.

Pati shqetësime për gjendjen fizike të Yamalit para turneut pas një problemi me hamstringun, por ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm për të udhëhequr Spanjën në Grupin H, ku do të përballet me Kepin e Gjelbër, Arabinë Saudite dhe Uruguain.

Ai pritet të debutojë në Kupën e Botës në moshën vetëm 18-vjeçare, duke mbajtur mbi supe pritshmëritë e një kombi që tashmë e krahason me më të mëdhenjtë e historisë. Deri tani ka 25 paraqitje me Spanjën, me 6 gola dhe 12 asistime, dhe ishte figurë kyçe në triumfin në Euro 2024, ku shënoi një gol spektakolar ndaj Francës në gjysmëfinale dhe dha katër asistime gjatë turneut.