Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se çdo shqiptar duhet të përkrahë protestat e qytetarëve që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se prej 13 ditësh Tirana dhe Shqipëria po përjetojnë një lëvizje rinore dhe qytetare të paprecedent, e cila sipas tij nisi si reagim ndaj mungesës së transparencës dhe keqtrajtimit të një banori në Zvërnec, por që tashmë është shndërruar në një përballje të drejtpërdrejtë me atë që ai e quajti “diktaturë autoritare” dhe “narkoshtet”.
Sipas Berishës, protesta përfaqëson guximin dhe ndërgjegjen kombëtare të të rinjve shqiptarë për t’u përballur me një regjim që, sipas tij, ka deformuar proceset zgjedhore, ka ushtruar presion mbi opozitën dhe administratën publike, si dhe është përfshirë në afera korruptive.
“Kjo lëvizje që ka në brendinë e vet guximin më të madh të kombit shqiptar, mbartës i të cilit janë të rinjtë shqiptarë. Ka në brendinë e vet ndërgjegjen më të lartë kombëtare për t’u çliruar nga një regjim autokratik, i cili ka shndërruar zgjedhjet në farsë zgjedhore”, vijoi Berisha.
“Rinia shqiptare u ngrit për të gjithë vëllezërit, motrat, bashkëmoshatarët e vet që morën rrugët e dheut dhe ëndrrën e tyre rinore, individuale dhe familjare, sepse Shqipëria nuk u jepte strehë për ëndrrën e tyre. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë po protestojnë sot sepse shkollat janë katandisur dhe ka rënie të tmerrshme, të turpshme në pikiatë”, tha Berisha.
“Sepse prindërit e tyre marrin pensionet më qesharake apo rrogat më të ulëta në Evropë. Sepse spitalet e Shqipërisë janë spitale jo të botës së tretë, por të katërt me mungesat më elementare. Se tërë këto politika në të vërtetë përbëjnë një gjenocid të mirëfilltë, të heshtur të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje demokratëve, mbështetësve të opozitës dhe të gjithë qytetarëve që të mbështesin protestat.
“Unë bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo zgjedhësi, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për PD, por edhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që të ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, të mbështesë çdo protestë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Asnjë pretekst nuk ka të drejtë të përdoret për mosmbështetjen e tyre”, tha ai.
Kreu i PD-së tha se protesta është përtej partive politike.
“Në atë protestë ka qytetarë që nuk kanë qenë kurrë në parti politike, ka të rinj që nuk kanë qenë ndonjëherë në forumet e partive politike, por ka edhe dhjetëra, qindra, mijëra anëtarë të forcave politike të qendrës së djathtë dhe të majta dhe natyrshëm aty do ketë slogane që një palë do i pëlqejë, kurse një palë tjetër mund të mos i pëlqejë”, vuri në dukje ai.
“Por nuk duhet të jetë kurrë ato që të errësojnë pamjen madhështore, misionin e madh të kësaj proteste. Ndaj dhe ai që i thotë vetes shqiptar dhe e do këtë vend, duhet të mendojë se si ta ndihmojë suksesin e kësaj proteste”, tha Berisha.
Sipas tij, “nuk duhet që slogane me protagonistë opozitën e opozitës apo grupime të caktuara të dekurajojnë”. “Opozita e opozitës është vegël e qeverisë”, tha ai./atsh



Të tjera
Ushqimet që mund të shërojnë diabetin
Hekurudha Durrës-Prishtinë, temë diskutimi në takimin Karakaçi-Basha
Beqaria vret më shumë se mbipesha, thotë studimi