Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit në Kosovë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të shtunën, në orën 19:00, procesi ka përfunduar edhe në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku janë proceduar gjithsej 262 vendvotime.
“Ky moment shënon përfundimin e procesit në të gjitha 38 komunat, i cili ka filluar një ditë pas ditës së zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit janë proceduar 2 mijë e 498 vendvotime, përkatësisht 100 për qind e tyre.
Procesi zgjedhor do të vazhdojë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku kanë mbetur për t’u numëruar fletëvotimet e ardhura përmes postës, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
KQZ-ja ka nisur të premten në mbrëmje numërimin e votave nga diaspora, proces që pritet të zgjasë disa ditë. Sipas Elezit, nëga 23 kutitë postare të hapura për këtë lloj votimi janë tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Pjesa më e madhe e tyre tashmë është vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së dhe është bërë gati për numërim.
Ndërkohë, pas përfundimit të numërimit të votave përmes postës, do të nisë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.
Votimi me kusht është mundësuar në 52 vendvotime, ku janë evidentuar 8 mijë e 751 votues, ndërsa për votimin e personave me nevoja të veçanta, të zhvilluar përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve, kanë qenë të regjistruar 3 mijë e 144 votues.
Elezi ka bërë të ditur se para se të fillohet me numërimin e këtyre fletëvotimeve, KQZ-ja po skanon listat e votuesve të përdorura në vendvotimet e rregullta, me qëllim të krahasimit të të dhënave dhe evidentimit të rasteve eventuale të votimit të dyfishtë.



Të tjera
Zvicra “ndalet” me barazim nga Katari
Punime në rrjetin elektrik, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës të dielën
Zhvillimet për marrëveshjen SHBA-Iran alarmon Tel Avivin, Netanyahu mbledh urgjent kabinetin e sigurisë