Arsenali nuk heq dorë nga Barcola, PSG i mbyll derën largimit – Ekonomia Online

Arsenali nuk heq dorë nga Barcola, PSG i mbyll derën largimit

Arsenali nuk e ka fshehur interesimin e madh për sulmuesin anësor të Paris Saint-Germain, Bradley Barcola, teksa klubi londinez po vazhdon të monitorojë situatën e francezit para afatit kalimtar të verës.

Sipas raportimeve të fundit, drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, kishte vendosur kontaktet e para për një transferim të mundshëm që verën e kaluar. Që nga ajo kohë, “Topçinjtë” kanë mbajtur komunikim të rregullt me përfaqësuesin e lojtarit, Moussa Sissoko, duke e mbajtur gjallë interesimin për yllin e ri francez.

Megjithatë, transferimi i Barcolës duket tejet i vështirë për t’u realizuar. Kampioni i Evropës, PSG, ua ka bërë të qartë disa herë klubeve të interesuara se nuk ka ndërmend ta shesë 23-vjeçarin, i cili konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit afatgjatë të klubit parisien.

Vlera aktuale e reprezentuesit francez vlerësohet rreth 70.7 milionë euro, shifër që vetëm sa dëshmon rëndësinë që ai ka në skuadrën e trajnerit të PSG-së.

Pavarësisht pengesave, Arsenali mbetet i vendosur ta ndjekë nga afër situatën e Barcolës, ndërsa mbetet të shihet nëse londinezët do të provojnë një ofensivë konkrete gjatë muajve të verës apo do të orientohen drejt alternativave të tjera për repartin ofensiv.