Nga Sazani, zona e Pishë Poro-Nartë dhe situata në Zvërnec, Rama publikon faktet: Nuk ka shitje të ishullit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi ndaj debateve dhe akuzave që kanë shoqëruar projektet e investimeve në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se asnjë pjesë e territorit shqiptar nuk është nxjerrë në shitje dhe se të gjitha procedurat po zhvillohen në përputhje me ligjin.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Rama sqaroi se Ishulli i Sazanit mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe nuk është menduar asnjëherë për shitje.

Lidhur me projektin në Zvërnec, kryeministri theksoi se toka ku parashikohet investimi është pronë private e regjistruar prej vitesh në kadastër dhe se transaksionet e kryera janë marrëdhënie mes subjekteve private. Ai shtoi se pretendimet pronësore të palëve të tjera po shqyrtohen nga gjykatat, ndërsa organet e drejtësisë kanë vepruar në mënyrë të pavarur për mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtës së pronës.

Rama bëri të ditur se projekti në Zvërnec nuk ka marrë ende leje ndërtimi dhe se ndodhet në fazën e përgatitjes së dokumentacionit teknik. Ai nënvizoi se investitorët janë detyruar t’i nënshtrohen një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, përpara çdo vendimmarrjeje përfundimtare mbi zbatimin e projektit.

Në përfundim, Rama akuzoi kritikët për përhapje dezinformimi dhe deklaroi se institucionet shqiptare kanë vepruar me profesionalizëm dhe transparencë. Ai u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë investimet strategjike, duke respektuar ligjin, mjedisin dhe interesin publik. /Tch/