Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë të rëndësishme për stabilitetin në Lindjen e Mesme, lirinë e lundrimit dhe ekonominë globale.
Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa vonesë angazhimet e marra, duke ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për paqen dhe sigurinë rajonale.
Von der Leyen theksoi se marrëveshja duhet të mundësojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe garantimin e lirisë së lundrimit pa kufizime, duke e cilësuar këtë si thelbësore për stabilitetin ndërkombëtar.
Sipas saj, marrëveshja hap rrugën për negociata më të gjera mbi paqen në Lindjen e Mesme, si dhe për adresimin e programeve bërthamore dhe raketore të Iranit dhe aktiviteteve destabilizuese në rajon.
“E mirëpres marrëveshjen e arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pas përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike nga shumë partnerë. Prioriteti tani është zbatimi i shpejtë dhe i plotë i tij nga të gjitha palët e përfshira. Kjo marrëveshje duhet të lejojë rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit. Liria e lundrimit duhet të rivendoset pa tarifa apo kufizime. Kjo është jetike për stabilitetin e rajonit dhe për ekonominë globale. Marrëveshja hap gjithashtu rrugën për negociata më të gjera mbi paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të çojë në fundin e programeve bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit, si dhe të aktiviteteve të tij destabilizuese në rajon. Sigurisht, nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme për sa kohë që Libani vazhdon të jetë i përfshirë nga konflikti. Edhe një herë, Evropa u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit dhe të ecin drejt zbatimit të një armëpushimi kuptimplotë“, tha ajo.
Ajo shtoi se stabiliteti në rajon kërkon edhe zgjidhje të qëndrueshme për situatën në Liban dhe respektim të sovranitetit të tij.
Duke folur në prag të takimeve të G7 në Evian të Francës, ajo theksoi se Evropa është e gatshme të luajë rol aktiv në proceset diplomatike.
Në fund, von der Leyen paralajmëroi se krizat aktuale tregojnë nevojën për uljen e varësisë energjetike dhe diversifikimin e rrugëve të furnizimit me energji.



Të tjera
Rritet interesimi i të rinjve për FSK, 234 aplikime për 44 vende
Inaugurohet gjenerata e re e Kualifikimit të Nivelit V Post-Sekondar për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore, merr pjesë Kurti
Pini këtë pije freskuese për lëkurën me pamje të re, tretje më të mirë dhe më shumë energji